

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur këtë të mërkurë në Kuç të Vlorës kryetarët e bashkive të Partisë Socialiste, në një takim ku në fokus pritet të jetë reforma territoriale dhe riorganizimi i njësive të qeverisjes vendore.
Në takim marrin pjesë edhe ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, si dhe bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar, Arbjan Mazniku.
Sipas raportimeve, kryebashkiakët pritet të paraqesin propozimet e tyre, të mbledhura gjatë takimeve konsultative me qytetarët.
Në Kuç kanë mbërritur edhe kryetarja e Bashkisë Vlorë, Bruna Mersini, dhe kryetari i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo.
Reforma territoriale e propozuar nga Partia Socialiste ka hasur kundërshtime nga qytetarë dhe drejtues vendorë në disa bashki, ku janë zhvilluar protesta kundër shkrirjes së njësive vendore.
Sipas propozimit të PS-së, numri i bashkive në vend do të reduktohet nga 61 në 46.
Bashkitë që propozohet të shkrihen janë Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Përrenjas.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






