

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar përshkallëzim të aksionit opozitar dhe protesta masive gjatë vjeshtës, duke deklaruar se objektivi i opozitës është largimi i kryeministrit Edi Rama dhe krijimi i një qeverie kujdestare.
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Berisha tha se opozita do të përdorë “të gjitha mjetet” kundër qeverisë dhe se protestat do të intensifikohen në javët në vijim.
“Opozita do përdorë të gjitha mjetet kundër kësaj qeverie. Dhe siç e shihni, rrokullisjen e saj nuk ka forcë në botë që ta ndalë më. Në një seri qytetesh, opozita është në protestë. Këto janë të organizuara, por nuk janë masive sa ç’duhet të jenë, por do bëhen”, deklaroi Berisha.
Ai e cilësoi Edi Ramën si “kufomë politike”, duke komentuar edhe përplasjet e kryeministrit me komentues dhe protestues në rrjetet sociale.
Berisha deklaroi gjithashtu se vjeshta do të shënojë një intensifikim të aksionit politik të opozitës.
“Vjeshta do të jetë vjeshta e temperaturave më të larta politike. Opozita do të jetë e tëra në misionin e saj, largimin sa më shpejt të Edi Ramës, qeverinë kujdestare për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, u shpreh ai.
Në vijim, Berisha përmendi edhe Alex Soros, duke pretenduar se është kërkuar ndërhyrja e tij për shkak të situatës politike.
“Është thirrur për emergjencë Aleks Soros. Po se çfarë mund t’i bëjë një kufome të pakallur, le ta shohin. Shqiptarët në mënyrë përfundimtare i kanë dhënë verdiktin Edi Ramës”, deklaroi Berisha.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






