

FIER — Banorë të disa fshatrave të zonës naftëmbajtëse kanë protestuar të mërkurën para ambienteve të Bankers Petroleum, duke kërkuar shlyerjen e detyrimeve të prapambetura për qiratë e tokave të përdorura nga kompania.
Protestuesit, nga Belina, Marinëza, Kallmi, Sheqishtja dhe Zharrëza, pretendojnë se pagesat e qirave nuk janë kryer që prej muajit mars.
Gjatë protestës, situata është tensionuar në hyrje të ambienteve të kompanisë. Disa përfaqësues të banorëve janë lejuar të hyjnë për të paraqitur kërkesat e tyre, ndërsa pjesa tjetër është ndaluar nga forcat e policisë në hyrje të objektit.
Banorët kanë kërkuar që edhe ata të lejohen të hyjnë, duke shkaktuar debate dhe përplasje verbale me efektivët e policisë.
Kërkojnë respektimin e kontratave
Protestuesit kërkojnë pagesën e detyrimeve të prapambetura dhe respektimin e kushteve të kontratave për përdorimin e tokave.
Një tjetër kundërshtim i tyre lidhet me uljen e çmimit të qirasë, për të cilën pretendojnë se nuk duhet të zbatohet në kushtet aktuale.
Banorët thonë se kanë kërkuar zgjidhjen e situatës dhe shlyerjen e pagesave prej disa muajsh, por deri tani nuk kanë marrë një zgjidhje që i kënaq.
Ata kanë paralajmëruar se protestat mund të përshkallëzohen nëse nuk arrihet një marrëveshje dhe nuk kryhen pagesat që, sipas tyre, u detyrohen.
Deri në publikimin e këtij raportimi, nuk ka një qëndrim të detajuar nga kompania lidhur me pretendimet e banorëve për qiratë e papaguara dhe ndryshimin e vlerës së qirasë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





