

KORÇË — Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Kristjan Sterjon, i dyshuar për vrasjen e 20-vjeçarit Joan Zyko, ngjarje e ndodhur më 8 gusht në qytetin e Korçës.
Seanca për caktimin e masës së sigurisë u zhvillua këtë të mërkurë nën masa të shtuara sigurie. Prokurorja Artenida Toska kërkoi masën “arrest me burg”, kërkesë e cila u pranua nga gjykata.
Në ambientet përreth gjykatës u vendosën forca të shumta policie, ndërsa institucioni u rrethua për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.
Sipas raportimeve, në seancë nuk është paraqitur asnjë familjar i të riut të dyshuar apo i viktimës.
Si ndodhi ngjarja
Joan Zyko, 20 vjeç, u qëllua me armë zjarri pasditen e 8 gushtit në lagjen nr. 14 të Korçës.
Sipas të dhënave të bëra publike gjatë hetimit, mes Zykos dhe Sterjos kishte pasur një konflikt të mëparshëm.
Në dëshminë e tij para hetuesve, Sterjo ka dhënë versionin e tij për dinamikën e ngjarjes. Sipas deklarimeve të tij, konflikti kishte nisur rreth dy javë para vrasjes.
Ai ka pretenduar se ditën e ngjarjes pati fillimisht një përplasje fizike mes dy të rinjve. Më pas, sipas dëshmisë, Sterjo është larguar dhe ka shkuar në banesë.
Ai ka deklaruar se më vonë ka marrë një armë zjarri që e kishte fshehur dhe është rikthyer në zonën ku ndodhej Zyko. Sipas versionit të dhënë para hetuesve, ai e ka ndjekur 20-vjeçarin dhe ka qëlluar në drejtim të tij.
Këto janë deklarime të të dyshuarit dhe mbeten pjesë e materialeve që po shqyrtohen nga organet e drejtësisë.
U arrestua pas disa orësh
Pas ngjarjes, Sterjo u largua nga vendi dhe qëndroi për disa orë në arrati. Policia e Korçës e lokalizoi dhe e arrestoi rreth mesnatës së 9 gushtit, pranë zonës së Mitropolisë.
Gjatë hetimeve janë administruar prova materiale dhe janë sekuestruar sende që dyshohet se lidhen me ngjarjen.
Sterjo po hetohet për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Me vendimin e Gjykatës së Korçës, ai do të qëndrojë në paraburgim gjatë vijimit të hetimeve.
Prokuroria vijon hetimet për të dokumentuar plotësisht rrethanat e vrasjes dhe për të përcaktuar motivin dhe përgjegjësinë penale.
Kristjan Sterjo konsiderohet i dyshuar dhe jo fajtor deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





