

Djali 20 vjeçar nga Korça, Kristian Sterjo, doli sot para gjykatës së rrethit për vlerësim mase sigurie dhe iu konfirmua arresti në burg pa afat.
Prokurorja Artenida Toska kërkoi masën “arrest me burg” për Sterjon, kërkesë që u pranua nga Gjykata e Korçës.
Sterjo akuzohet se qëlloi me armë zjarri 21 vjeçarin Joan Zuko duke i marrë jetën pas një ndjekjeje disa orëshe që ishte agravim i një konflikti të nisur më herët për motive të dobëta.
20-vjeçari akuzohet për veprën penale “vrasje me paramendim”, si dhe për “mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Sterjo u paraqit në gjykatë nën masa të shtuara sigurie, ku u zhvillua seanca për caktimin e masës së sigurisë.
Në seancë nuk është paraqitur asnjë familjar, as nga familja e viktimës Joan Zuko dhe as nga familja e autorit të dyshuar.
I dyshuari ka dhënë të njëjtin version të ngjarjes edhe para gjykatës, duke deklaruar se nuk kishte pasur qëllim të vriste Joan Zukon.
I qetë gjatë minutave të seancës, 20 vjeçari, para se të shpallej vendimi për qëndrim në paraburgim, shprehu pendesë për vrasjen. Ai deklaroi se është penduar për atë që ka bërë.
Në ato pak fjalë që tha, Kristian tregoi para gjykatës se mes tij dhe Joan Zukos kishte pasur konflikte edhe më parë, por ka mohuar se kishte shkuar drejt përballjes me qëllimin për ta vrarë.
Më herët, në deklarimin e dhënë para autoriteteve në orën 23:40 të 8 gushtit, Kristjan Sterjo, ka dhënë versionin e tij për dinamikën e ngjarjes.
Sipas deklarimit, Sterjo ka treguar se rreth dy javë më parë kishte pasur një konflikt verbal me Johan Zukon, pasi, sipas tij, ky i fundit kishte ngacmuar një mikeshë të tij. Sterjo ka deklaruar se gjatë atij konflikti e kishte goditur Zukon një herë me pëllëmbë.
Ditën e ngjarjes, sipas deklarimit të tij, ai ka parë Zukon duke kaluar me një automjet tip Mercedes-Benz C-Class. Pasi kanë shkëmbyer fjalë, automjeti është ndaluar dhe Sterjo është afruar pranë drejtuesit.
Ai tha se në këtë moment Zuko ka nxjerrë një thikë dhe është përpjekur ta godasë. Sipas dëshmisë së tij, pas përleshjes, një person tjetër që ndodhej në automjet e ka mbajtur, ndërsa Zuko dyshohet se është përpjekur sërish ta godasë me thikë. Persona të tjerë që ndodheshin pranë kanë ndërhyrë për t’i ndarë.
Pas konfliktit, Sterjo tha se është larguar drejt banesës së tij. Në gjendje të acaruar, sipas tij, ka marrë një armë zjarri që e kishte mbajtur të fshehur në banesë dhe e ka futur në një thes të bardhë.
Ai ka deklaruar se më pas është nisur në këmbë drejt lagjes ku banonte Johan Zuko. Pasi ka mbërritur pranë një market ai pretendon se ka parë Zukon pranë një lokali.
Sipas deklarimit, Sterjo është afruar drejt tij me armën, ndërsa Zuko është larguar me vrap dhe ka hyrë në një pallat. Sterjo e ka ndjekur dhe, sipas dëshmisë së tij, ka qëlluar me armë në drejtim të Zukos, duke synuar nga pjesa e këmbëve.
Ai tha se nuk ka parë nëse Zuko është plagosur dhe se nuk është në gjendje të përcaktojë me siguri llojin e armës. Pas të shtënës, sipas tij, është larguar dhe armën e ka fshehur në disa shkurre në zonën e quajtur “Fusha e Druve”.
Më pas ka shkuar në banesë, ka ndërruar rrobat dhe veshjet që kishte përdorur gjatë ngjarjes i ka vendosur në lavatriçe. Sipas deklarimit, më pas është larguar dhe ka qëndruar në një banesë të pabanuar pranë shtëpisë së tij.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





