

TIRANË — Një total prej 25 vatrash zjarri janë raportuar në Shqipëri gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa nëntë prej tyre vijojnë të jenë aktive, sipas bilancit të publikuar nga Ministria e Mbrojtjes.
Në operacionet për shuarjen dhe izolimin e zjarreve janë angazhuar 41 automjete zjarrfikëse dhe 395 forca operacionale. Në terren ndodhen gjithashtu 167 efektivë të Forcave të Armatosura, tre helikopterë dhe dy avionë “Air Tractor” të Forcës Ajrore.
Operacionet janë përqendruar në disa qarqe, me vatra aktive në Dajt, Drenie të Patosit, Krujë, Përmet, Nëmërçkë, Dhëmbël, Gurë-Lurë dhe malin e Moravës.
Drenie dhe Krujë
Në Drenie të Patosit, zjarri është riaktivizuar dhe ekipet po punojnë për izolimin e plotë të vatrës. Gjatë operacionit të një dite më parë u angazhuan shtatë automjete zjarrfikëse, 30 efektivë të MZSH-së, forca të Policisë dhe shërbimit pyjor, si dhe vullnetarë. Ndërhyrja u mbështet nga dy avionë “Air Tractor”.
Sot në operacion janë angazhuar edhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura.
Në Krujë, ndërhyrja vijon në lagjen Abaze dhe në zonën Krastë–Halil. Në Abaze pritet angazhimi i 58 efektivëve të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterëve, ndërsa në Krastë–Halil kanë operuar 58 efektivë ushtarakë me gjashtë mjete, së bashku me forcat e ADZM-së dhe strukturat vendore.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara në këto dy zona.
Gurë-Lurë, një nga operacionet kryesore
Një nga operacionet më të rëndësishme po zhvillohet në Gurë-Lurë të Dibrës, ku zjarri është afër disa banesave.
Në terren janë angazhuar forcat zjarrfikëse, strukturat bashkiake dhe pyjore, ADZM-ja, vullnetarë, si dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura. Operacioni ajror mbështetet nga dy helikopterë dhe dy avionë “Air Tractor”.
Për shkak të afërsisë së flakëve me banesat, forcat zjarrfikëse janë pozicionuar pranë tyre për të mbrojtur komunitetin dhe për të parandaluar përhapjen e zjarrit drejt zonave të banuara.
Vatra në Dajt, Nëmërçkë dhe Dhëmbël
Në Dajt vijon ndërhyrja e forcave të MZSH-së dhe ADZM-së, me mbështetjen e një helikopteri të Forcës Ajrore. Në zonën e Priskës së Madhe po operojnë katër automjete zjarrfikëse me 15 efektivë.
Sipas autoriteteve, në këto zona nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Nëmërçkë po punojnë forcat e MZSH-së, strukturat e bashkisë dhe 25 efektivë të Forcave të Armatosura. Ndërkohë, në malin e Dhëmbëlit janë angazhuar forcat zjarrfikëse të Përmetit, të mbështetura nga 30 efektivë ushtarakë.
Edhe në këto dy zona nuk raportohet rrezik për banesat.
Vijon zjarri në malin e Moravës
Aktive mbetet edhe vatra në malin e Moravës, në bashkinë Devoll, në një zonë të mbrojtur me pyje pishe.
Në terren po punojnë forcat e MZSH-së së Devollit dhe Korçës, së bashku me shërbimin pyjor. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Autoritetet thonë se operacionet tokësore dhe ajrore do të vijojnë me kapacitete të shtuara, me përparësi mbrojtjen e banesave dhe komuniteteve, kufizimin e përhapjes së flakëve dhe neutralizimin e plotë të vatrave aktive.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






