Transmetuar më 11-08-2026, 23:02

11 gusht 2026 — Paralajmërimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiç për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër ka nxitur reagime nga Kosova, Shqipëria, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, duke rikthyer në qendër të debatit një çështje me pasoja të mundshme për furnizimin me ujë dhe energji në Kosovë.

Bashkimi Evropian ka deklaruar se deklaratat për ndryshime të mundshme të rrjedhës së lumenjve nuk kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Edhe Departamenti amerikan i Shtetit ka theksuar se paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor janë prioritete të SHBA-së dhe se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi është pjesë e rëndësishme e këtij procesi.

Por sa real është skenari i ndryshimit të rrjedhës së Ibrit dhe çfarë pasojash do të kishte një veprim i tillë?

Një projekt teknikisht i mundshëm, por kompleks

Lumi Ibër, rreth 270 kilometra i gjatë, buron në Mal të Zi, kalon nëpër Serbi dhe më pas hyn në Kosovë, ku përshkon rreth 82 kilometra përpara se të rikthehet në territorin serb.

Ujërat e tij furnizojnë Liqenin e Ujmanit, një rezervuar strategjik për Kosovën. Rreth dy të tretat e sipërfaqes së liqenit ndodhen në territorin e Kosovës.

Profesori i hidraulikës dhe burimeve ujore në Kosovë, Alban Kuriqi, vlerëson se një devijim i pjesshëm i ujit në rrjedhën e sipërme është teknikisht i mundshëm, por do të kërkonte një projekt të madh hidroteknik.

Sipas tij, do të nevojiteshin diga, struktura për marrjen e ujit, kanale, tubacione ose tunele të mëdha për transportimin e tij dhe, nëse graviteti nuk do të ishte i mjaftueshëm, edhe sisteme pompimi.

Një projekt i tillë do të kërkonte gjithashtu studime topografike, gjeologjike, hidrologjike dhe mjedisore, financime të konsiderueshme dhe një periudhë të gjatë për zbatimin.

Kuriqi thekson se një devijim i ujit nuk do të nënkuptonte që Kosova do të mbetej menjëherë pa ujë. Rezervuari i Ujmanit ka kapacitet të konsiderueshëm për ruajtjen e ujit.

Megjithatë, një reduktim i madh dhe afatgjatë i prurjeve do të mund të krijonte pasoja serioze.

Uji, energjia dhe bujqësia në rrezik

Liqeni i Ujmanit është pjesë e sistemit Ibër-Lepenc, i cili përdoret për furnizimin me ujë të qyteteve, industrisë dhe tokave bujqësore.

Uji i rezervuarit përdoret gjithashtu për prodhimin e energjisë hidroelektrike, ndërsa Korporata Energjetike e Kosovës e shfrytëzon për ftohjen e termocentraleve.

Sipas Kuriqit, një ulje e ndjeshme e prurjeve do të mund të reduktonte prodhimin hidroenergjetik dhe, në një periudhë më të gjatë, do të kërkonte vendime të vështira për ndarjen e burimeve ujore mes furnizimit të popullsisë, energjisë, industrisë, bujqësisë dhe nevojave ekologjike.

Pasojat do të vareshin nga madhësia dhe kohëzgjatja e reduktimit të prurjeve, si dhe nga niveli i ujit në rezervuar në momentin kur do të ndërmerrej një veprim i tillë.

Paralajmërim politik apo kërcënim real?

Për Dushan Janjiqin, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike, deklaratat e Vuçiçit janë të rrezikshme dhe mund të ndikojnë edhe në situatën politike dhe sociale në veri të Kosovës.

Sipas tij, ideja mund të përdoret për qëllime të brendshme politike në Serbi, në një kohë kur Vuçiç përballet me kritika për mënyrën se si po trajtohet çështja e pronave të serbëve në veri të Kosovës.

Autoritetet në Prishtinë i kanë cilësuar deklaratat si kërcënuese dhe si formë presioni politik, ndërsa Beogradi e ka mohuar se bëhet fjalë për një kërcënim.

Vuçiç ka argumentuar se Serbia po shqyrton menaxhimin e burimeve ujore në territorin e saj dhe se çdo ndryshim do të kërkonte fillimisht ekspertizë dhe studime.

Përplasja Tiranë-Beograd

Deklaratat për Ibrin kanë shkaktuar edhe një përplasje publike mes zyrtarëve shqiptarë dhe serbë.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, tha se uji nuk duhet të përdoret si instrument presioni politik apo si mjet për ndëshkimin e një vendi ose popullsie.

Shefi i diplomacisë serbe, Marko Gjuriq, iu përgjigj duke thënë se Serbia do të vendosë vetë për mënyrën e menaxhimit të burimeve të saj natyrore.

Edhe kryeministri shqiptar Edi Rama reagoi, duke i cilësuar qëndrimet e Beogradit si “folklor politik” dhe duke theksuar se lumi Ibër do të vazhdojë të ndjekë rrjedhën e përcaktuar nga gjeografia.

Çfarë thotë e drejta ndërkombëtare?

Çështjet që lidhen me ujërat ndërkufitare rregullohen edhe nga Konventa e Kombeve të Bashkuara e vitit 1997 për përdorimin e rrjedhave ujore ndërkombëtare për qëllime të tjera përveç lundrimit.

Serbia është palë në këtë konventë, ndërsa Kosova nuk është, pasi nuk është anëtare e OKB-së.

Konventa përcakton, ndër të tjera, parimin e përdorimit të drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare dhe detyrimin për të shmangur shkaktimin e dëmeve të konsiderueshme ndaj shteteve të tjera.

Ideja nuk është e re

Ndryshimi i rrjedhës së Ibrit nuk është një ide e shfaqur për herë të parë në vitin 2026.

Pas shpërthimit të vitit 2024 që dëmtoi kanalin Ibër-Lepenc në Zubin Potok, Vuçiç kishte deklaruar se ekzistonte një ide për ndryshimin e rrjedhës së lumit që prej viteve ’80. Në atë kohë, ai ishte shprehur kundër përdorimit të natyrës për qëllime politike.

Sipas Janjiqit, ideja ishte diskutuar edhe më herët nga Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve, por nuk ishte zbatuar.

Një tjetër përpjekje për menaxhimin e përbashkët të ujërave të Ujmanit u bë në kuadër të Marrëveshjes së Uashingtonit të vitit 2020.

Në vitin 2021, SHBA-ja u dorëzoi Kosovës dhe Serbisë një studim fizibiliteti për menaxhimin e përbashkët të Liqenit të Ujmanit, duke marrë si model marrëveshjen SHBA-Kanada për digat në lumin Kolumbia.

Studimi parashikonte edhe mundësinë e krijimit të një komisioni për lumin Ibër, i cili do të ndihmonte dialogun për menaxhimin e burimeve ujore.

Ky propozim, megjithatë, nuk është zbatuar deri tani.

Për momentin, mbetet e paqartë nëse deklaratat e Vuçiçit do të shndërrohen në një projekt konkret apo do të mbeten pjesë e përplasjes politike mes Beogradit dhe Prishtinës. Ajo që është e qartë është se çdo ndërhyrje e rëndësishme në rrjedhën e Ibrit do të kishte dimension teknik, ekonomik, mjedisor dhe gjeopolitik.REL

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit