Transmetuar më 11-08-2026, 21:59

TIRANË, 11 gusht 2026 — Shqipëria është përballur me 23 vatra zjarri gjatë 12 orëve të fundit, ndërsa tetë prej tyre vijojnë të jenë aktive në disa zona të vendit.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, për përballimin e situatës janë angazhuar 26 mjete zjarrfikëse, 310 forca operacionale dhe 103 efektivë të Forcave të Armatosura. Në operacione janë përdorur gjithashtu tre helikopterë dhe dy avionë “Air Tractor”.

Ndërhyrjet vijojnë në disa zona, përfshirë Dajtin, Priskën e Madhe, Drenien e Patosit, Krujën, malin e Nëmërçkës dhe malin e Dhëmbelit. Sipas autoriteteve, aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Një nga operacionet më të rëndësishme po zhvillohet në zonën e Gurë-Lurës në Dibër, ku në terren janë angazhuar forca zjarrfikëse, efektivë të Forcave të Armatosura, vullnetarë dhe dy helikopterë.

Mjetet ajrore janë përdorur për ndërhyrje dhe për mbrojtjen e zonave të banuara pranë vatrave të zjarrit. Helikopterët dhe avionët “Air Tractor” e kanë ndërprerë operacionin gjatë mbrëmjes.

Ndërkohë, zjarri në Vilëz të Kurbinit është neutralizuar dhe është shuar plotësisht.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe strukturat vendore vijojnë koordinimin e operacioneve për izolimin e tetë vatrave aktive dhe parandalimin e përhapjes së tyre.

Pavarësisht numrit të lartë të vatrave të raportuara gjatë 12 orëve të fundit, autoritetet bëjnë të ditur se deri tani nuk raportohet rrezik për banesat. Operacionet në terren do të vijojnë deri në neutralizimin e plotë të vatrave aktive.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit