

DIBËR, 11 gusht 2026 — Zjarri që ka përfshirë Parkun Kombëtar të Lurës ka avancuar nga zona e Borjes në drejtim të Fushë-Lurës, duke përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme pyjore.
Sipas të dhënave nga terreni, zjarri ka nisur fillimisht në kullota dhe më pas është përhapur në pyjet me pisha. Për shuarjen e flakëve kanë ndërhyrë më shumë se 100 persona, mes forcave të Bashkisë, shërbimit zjarrfikës dhe vullnetarëve.
Gjatë ditës së sotme janë angazhuar edhe dy helikopterë për ndërhyrjen nga ajri. Pavarësisht përpjekjeve në terren, zjarri ende nuk është vënë nën kontroll.
Pamjet e regjistruara rreth orës 20:00 tregojnë se flakët po avancojnë drejt një zone pyjore me bredha, e njohur si “Kurora e Lurës”. Sipas të dhënave paraprake, kjo zonë nuk është përfshirë më parë nga zjarret.
Përmasat e sipërfaqes së djegur brenda parkut kombëtar mbeten ende për t’u përcaktuar, por autoritetet e konsiderojnë situatën shqetësuese për shkak të rrezikut që zjarri të përhapet më tej në zonat pyjore.
Strukturat në terren kanë bërë thirrje për vijimin e ndërhyrjes nga ajri, me qëllim ndalimin e avancimit të flakëve dhe mbrojtjen e zonës së pyllëzuar të Lurës, e konsideruar ndër pjesët më të ruajtura të parkut.



Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






