

TIRANË, 11 gusht 2026 — Ministrja e Shtetit dhe kryenegociatorja e Shqipërisë, Majlinda Dhuka, i është përgjigjur ministrit serb për Integrimin Evropian, Nemanja Starović, pas deklaratave të tij për Kosovën dhe lumin Ibër.
Dhuka e cilësoi referimin e Starović te metafora e “kështjellës prej rëre” si të mbështetur në një interpretim selektiv të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Rezoluta 1244 nuk rivendosi sovranitetin serb mbi Kosovën. Ajo vendosi administrimin ndërkombëtar, largoi Forcat e Sigurisë Serbe, krijoi një proces të veçantë politik për statusin e ardhshëm të Kosovës dhe, ç’është më thelbësore, nuk e paracaktoi rezultatin e atij procesi”, tha Dhuka.
Ministrja iu referua edhe opinionit këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për deklaratën e pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se gjykata kishte arritur në përfundimin se deklarata nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.
“E drejta ndërkombëtare nuk bëhet më e leverdishme duke u cituar me zgjedhje, dhe historia nuk kthehet pas thjesht sepse Beogradi vazhdon të presë që ajo ta bëjë këtë”, u shpreh ajo.
Dhuka hodhi poshtë gjithashtu pretendimet për një agjendë të Shqipërisë për ndryshimin e kufijve apo krijimin e një “Shqipërie të Madhe”.
“Shqipëria nuk ka absolutisht asnjë pretendim territorial ndaj Serbisë, dhe as ndonjë agjendë për ndonjë gjë ‘Më të Madhe’, përveç një Evrope të Madhe, me Shqipërinë, Kosovën dhe, po, edhe Serbinë, së bashku brenda saj”, tha ministrja.
Ajo argumentoi se e ardhmja e rajonit duhet të lidhet me integrimin evropian, duke bërë thirrje për të lënë pas narrativat e “Shqipërisë së Madhe” dhe “Serbisë së Madhe”.
Dhuka: Marrëveshjet kërkojnë reciprocitet
Në reagimin e saj, Dhuka u ndal edhe te Marrëveshja e Brukselit dhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
Ajo tha se Shqipëria mbështet trajtimin e çështjeve të dakordësuara në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi dhe në bashkëpunim me Bashkimin Evropian.
“Duke punuar ngushtë me BE-në, si kolegu im i dashur serb, ashtu edhe unë, kemi parë në jetën reale se marrëveshjet janë pak a shumë si fqinjësia e mirë: funksionojnë dukshëm më mirë kur reciprociteti nuk trajtohet si një shtesë fakultative”, deklaroi Dhuka.
Ministrja e riktheu më pas vëmendjen te çështja që nxiti përplasjen publike, lumi Ibër.
“U bë një kërcënim lidhur me rrjedhën e Ibrit. Shqipëria kundërshtoi vetë idenë se uji mund të shndërrohej në një instrument presioni politik”, tha ajo.
Dhuka e mbylli reagimin me një mesazh të drejtpërdrejtë për përdorimin e burimeve ujore në konfliktet politike.
“Ibri duhet të mbartë ujin, jo pakënaqësi gjeopolitike”, u shpreh ministrja.
Sipas saj, nëse vendet e rajonit synojnë të ndërtojnë së bashku të ardhmen evropiane, baza duhet të jetë realiteti dhe jo interpretimet politike të së kaluarës.
“Dhe nëse vërtet duam ta ndërtojmë së bashku të ardhmen tonë evropiane, ekziston një themel ndërtimi dukshëm më i fortë se rëra: REALITETI”, përfundoi Dhuka.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






