

TIRANË, 11 gusht 2026 — Forcimi i Lekut kundrejt euros po ndikon në uljen e vlerës së borxhit publik të Shqipërisë të shprehur në monedhën vendase, ndërsa treguesit e ekspozimit ndaj rrezikut të kursit të këmbimit dhe rifinancimit kanë vijuar të përmirësohen gjatë vitit 2026.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, borxhi në valutë të huaj përbënte rreth 40.1% të totalit të borxhit publik në mesin e këtij viti, nga 40.9% një vit më parë. Treguesi mbetet pranë nivelit të fundit të vitit 2025.
Në vlerë absolute, borxhi i jashtëm neto ishte rreth 5.6 miliardë euro në mesin e vitit 2026, në nivele të përafërta me fundin e vitit të kaluar. Sipas të dhënave, vlera e borxhit të jashtëm në euro ka mbetur relativisht e qëndrueshme që prej vitit 2024, ndërsa forcimi i Lekut ka ulur vlerën e tij të shprehur në monedhën vendase.
Kursi Euro-Lek ka vijuar rënien gjatë vitit. Në fund të qershorit, euro ishte rreth 2.7% më e dobët ndaj Lekut krahasuar me fillimin e vitit, ndërsa zhvillimet e korrikut dhe gushtit kanë vijuar në të njëjtin drejtim.
Ulet rreziku i rifinancimit
Ministria e Financave raporton përmirësim edhe në treguesit e tjerë të menaxhimit të borxhit publik.
Borxhi i brendshëm që maturohet brenda një viti përbënte 33.4% të totalit në fund të qershorit, nga 40.9% një vit më parë. Sipas Ministrisë së Financave, ky është niveli më i ulët historik i këtij treguesi.
Ulja e ekspozimit ndaj rifinancimit lidhet me strategjinë e ndjekur gjatë dekadës së fundit për zgjatjen graduale të maturitetit të borxhit publik. Në këtë mënyrë, qeveria synon të reduktojë nevojën për rifinancim të shpeshtë dhe ekspozimin ndaj ndryshimeve të normave të interesit.
Në mesin e vitit 2026, maturiteti mesatar i instrumenteve të borxhit të brendshëm arriti në 1,179 ditë, nga 1,002 ditë në fund të vitit 2025.
Edhe rreziku i normave të interesit, i matur përmes përqindjes së borxhit që rifiksohet brenda një viti, zbriti në 33.4%, nga rreth 41% në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Borxhi publik në rënie
Të dhënat tregojnë gjithashtu një prirje rënëse të borxhit publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto.
Pas nivelit rekord prej më shumë se 74% të PBB-së në vitin 2021, borxhi publik ka ardhur në rënie në vitet pasuese. Në mesin e vitit 2026, ai zbriti në 54.02% të PBB-së.
Forcimi i Lekut ka ndihmuar në uljen e vlerës së borxhit në monedhën vendase, ndërsa konsolidimi fiskal dhe deficitet më të ulëta buxhetore kanë kontribuar gjithashtu në përmirësimin e treguesve të borxhit.
Në strategjinë afatmesme të menaxhimit të borxhit për periudhën 2025-2029, Ministria e Financave parashikon vijimin e masave për reduktimin e ekspozimit ndaj rrezikut të rifinancimit dhe rritjen e peshës së titujve afatmesëm dhe afatgjatë në portofolin e borxhit të brendshëm.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






