

Prej dy ditësh turistët raportojnë copëza të zeza dhe një substancë vajore mbi ujë. Disa thonë se kanë hequr dorë nga deti, ndërsa kërkojnë të zbulohet burimi i ndotjes
Pushues të shumtë në bregdetin e jugut kanë ngritur shqetësimin për ndotjen e ujit të detit në zonat e Borshit dhe Qeparos, ku prej dy ditësh raportojnë praninë e mbetjeve të zeza që ngjajnë me vaj ose derivate nafte.
Sipas dëshmive të qytetarëve, copëza të errëta dhe një substancë vajore lundrojnë në sipërfaqen e ujit dhe ngjiten në lëkurë, rroba dhe sende plazhi, duke lënë njolla që pastrohen me vështirësi.
“Ka dy ditë që nuk po lahemi në det, pasi është shumë i ndotur. Deti është mbushur me copa të zeza”, shprehet një pushues në Borsh.
Të tjerë tregojnë se pas kontaktit me ujin u janë ndotur rrobat dhe sendet personale, ndërsa situata i ka detyruar të shmangin futjen në det.
“Na u prishën rrobat, çadrat, shapkat, dyshekët, u bëmë zhul”, shkruan një qytetar në një denoncim të publikuar nga JOQ.
Një tjetër pushues kërkon që situata të bëhet publike dhe institucionet të ndërhyjnë, duke pretenduar se ndotja nuk është e kufizuar vetëm në një pikë të plazhit.
“Ju lutem publikojeni sepse po na prishen pushimet, është i gjithë bregdeti, s’po dimë ku të qëndrojmë”, shkruan ai.
Deri në këtë fazë, nga denoncimet e pushuesve nuk mund të përcaktohet me siguri natyra apo burimi i substancës së konstatuar në det.
Qytetarët kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse për marrjen e mostrave, verifikimin e ndotjes dhe përcaktimin e origjinës së mbetjeve që kanë dalë në bregdetin e Borshit dhe Qeparos.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






