

11 gusht 2026 — Shtetet e Bashkuara kanë reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiç lidhur me mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër, duke theksuar rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit i tha “Radio Evropa e Lirë” se paqja dhe stabiliteti në rajon mbeten prioritete për Shtetet e Bashkuara.
“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është pjesë e domosdoshme e këtij procesi”, deklaroi zëdhënësi.
Reagimi amerikan vjen pasi Vuçiç tha se autoritetet serbe po shqyrtojnë, së bashku me ekspertë, mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit. Presidenti serb e lidhi deklaratën me pretendimet për prishjen e shtëpive dhe vilave të serbëve pranë Liqenit të Ujmanit, në veri të Kosovës.
Deklaratat kanë shkaktuar reagime në Kosovë, ndërsa çështja është shoqëruar edhe me një përplasje publike mes zyrtarëve të Shqipërisë dhe Serbisë.
Edhe Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për shmangien e veprimeve që mund të dëmtojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Komisioni Evropian ka rikujtuar se përparimi në dialogun Beograd-Prishtinë është një parakusht për avancimin e të dyja palëve në procesin e integrimit evropian.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






