Transmetuar më 11-08-2026, 16:33

“Pashë flakët dhe mora zorrën e ujit”, 74-vjeçari i ndaluar për zjarrin në Krujë mohon akuzat: Nuk e bëra unë, madje kur erdhi policia më gjeti duke shuar flakët, dikush tjetër ishte aty para meje

Qemal Berhami, 74-vjeçari që u ndalua fillimisht nga Policia nën dyshimin se mund të kishte lidhje me zjarrin e përhapur në zonën e Krujës, ka mohuar çdo përfshirje në nisjen e flakëve. Ai u lirua disa orë më vonë me urdhër të Prokurorisë, e cila e konsideroi ndalimin të paligjshëm.

Sipas dëshmisë së dhënë para hetuesve, Berhami ka deklaruar se ndodhej pranë banesës së tij kur vuri re një vatër zjarri dhe menjëherë mori një zorrë uji për të tentuar ta shuante.

Ai ka këmbëngulur se nuk e ka ndezur zjarrin dhe ka ngritur dyshimin se në zonë mund të ketë qenë një person tjetër përpara tij.

“Kam qenë poshtë shtëpisë time dhe, kur kam dalë, kam parë një vatër zjarri sipër banesës. Kam marrë një zorrë uji për ta fikur”, mësohet të ketë deklaruar 74-vjeçari.

Sipas tij, në ato momente edhe fqinji i tij, Artur Berhami, e kishte pyetur se çfarë po ndodhte. Qemal Berhami thotë se i kishte kërkuar të afrohej pasi kishte rënë zjarr, ndërsa më pas kishte vazhduar vetë përpjekjet për të kontrolluar flakët me mjetet që kishte në dispozicion.

Megjithatë, sipas dëshmisë së tij, zjarri u përhap me shpejtësi dhe përpjekjet për ta shuar rezultuan të pamjaftueshme.

Një tjetër element që 74-vjeçari u ka përmendur hetuesve lidhet me sistemin e furnizimit me ujë të lagjes. Ai ka treguar se së bashku me bashkëshorten zakonisht hapin saraçineskën e ujit të pijshëm në orare të caktuara, në mëngjes dhe pasdite.

Berhami pretendon se në momentin kur nisi zjarri ishte hapur edhe saraçineska pranë depos së ujit, ndonëse sipas tij nuk ishte hapur prej tij.

“Mua më bën përshtypje që në orën kur ka rënë zjarri është hapur edhe saraçineska e ujit te depoja. Kjo tregon se një person tjetër ka shkuar te depoja në atë kohë, pasi saraçineska nuk mund të hapet vetë”, mësohet të ketë deklaruar ai.

74-vjeçari ka thënë se nuk mund të shpjegojë se si ka nisur zjarri, por ka mohuar kategorikisht që ta ketë shkaktuar vetë. Ai ka shtuar se gjatë gjithë jetës nuk ka qenë i përfshirë në vepra penale dhe se jeton me bashkëshorten, ndërsa fëmijët i ka jashtë Shqipërisë.

Sipas materialeve të çështjes, në momentin kur shërbimet e Policisë mbërritën në zonë, Berhami u gjet duke u përpjekur të shuante zjarrin.

Prokuroria vendosi më pas lirimin e tij, duke argumentuar se në atë fazë nuk kishte prova që e implikonin 74-vjeçarin në shkaktimin e zjarrit. Sipas të njëjtave të dhëna, organi i akuzës nuk ishte njoftuar paraprakisht për ndalimin, ndërsa Berhami kishte treguar bashkëpunim me autoritetet.

Ndërkohë, në zonën e Abazës vazhdon puna për kontrollin dhe shuarjen e vatrave të mbetura aktive. Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore dhe ka rrezikuar banesa dhe biznese në zonë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit