

HAGË, 11 gusht 2026 – Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të qëndrojë në paraburgim në Hagë deri në shpalljen e aktgjykimit në çështjen gjyqësore ndaj tij dhe tre ish-drejtuesve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës ka rrëzuar kërkesën e mbrojtjes për lirimin e Thaçit, duke vlerësuar se, edhe pse nuk ka informacion të mjaftueshëm për të arritur në përfundimin se ai do t’i shmangej drejtësisë, vazhdojnë të ekzistojnë rreziqe lidhur me pengimin e procedurave.
Vendimi, i datës 10 gusht, thekson se gjyqtarët shohin një rrezik të mjaftueshëm që Thaçi, nëse do të lirohej, mund të ndërhynte në ecurinë e procesit ose të ndikonte te dëshmitarët.
Sipas Trupit Gjykues, ekziston gjithashtu shqetësimi se ai mund të kryejë vepra të tjera penale ndaj personave që i percepton si kundërshtarë të UÇK-së, përfshirë dëshmitarët që kanë dhënë dëshmi në këtë çështje.
“Paneli është i kënaqur […] se ekziston një rrezik i mjaftueshëm që z. Thaçi do të pengojë përparimin e procedurave të Dhomave të Specializuara”, thuhet në vendim.
Aktgjykimi më 16 shtator
Aktgjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit është planifikuar të shpallet më 16 shtator 2026. Dhomat e Specializuara kanë konfirmuar se vendimi do të shpallet publikisht në këtë datë.
Për shkak të afërsisë së shpalljes së aktgjykimit, Trupi Gjykues ka vendosur gjithashtu të mos vijojë me parashtresat për shqyrtimin e ardhshëm të masës së paraburgimit ndaj Thaçit, i cili ishte planifikuar për 9 tetor.
Kryegjyqtari Charles Smith ka vlerësuar se një shqyrtim i tillë nuk është më i nevojshëm në këtë fazë, pasi aktgjykimi pritet të shpallet përpara kësaj date.
Çfarë akuzash shqyrtohen?
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi po gjykohen në Hagë për akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të lidhura me periudhën e luftës dhe pasluftës në Kosovë.
Të katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm dhe kanë mohuar akuzat ndaj tyre.
Vendimi përfundimtar i gjykatës pritet të përcaktojë nëse ata mbajnë përgjegjësi penale për akuzat e ngritura nga Prokuroria e Specializuar.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






