Transmetuar më 11-08-2026, 14:13

KOSOVË, 11 gusht 2026 – Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, lidhur me mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër, duke theksuar se një qasje e tillë nuk kontribuon në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Zëdhënësja e BE-së, Anita Hipper, deklaroi gjatë një konference për media më 11 gusht se çështjet e hapura ndërmjet dy palëve duhet të adresohen përmes dialogut.

“Gjithashtu rikujtojmë se përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është parakusht që të dyja palët të avancojnë në rrugën e tyre evropiane”, tha Hipper.

Reagimi i BE-së vjen pas deklaratës së Vuçiqit më 9 gusht, kur ai tha se autoritetet serbe po shqyrtojnë me ekspertë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit. Presidenti serb e lidhi këtë mundësi me pretendimet për rrënimin e shtëpive dhe vilave të serbëve pranë Liqenit të Ujmanit, në veri të Kosovës.

Deklarata shkaktoi reagime të forta nga zyrtarë të Kosovës, ndërsa më pas u pasua edhe nga një përplasje publike mes zyrtarëve të Shqipërisë dhe Serbisë.

Lumi Ibër, me një gjatësi prej rreth 270 kilometrash, buron në Mal të Zi, kalon nëpër Serbi dhe më pas hyn në territorin e Kosovës, ku derdhet në Liqenin e Ujmanit. Rreth dy të tretat e sipërfaqes së këtij liqeni ndodhen në territorin e Kosovës.

Sistemi i Ujmanit dhe Ibër-Lepencit ka rëndësi të veçantë për Kosovën, pasi uji i tij përdoret për furnizimin e shtatë komunave, për ujitje, si dhe për ftohjen e termocentraleve në Obiliq, të cilat prodhojnë pjesën më të madhe të energjisë elektrike në vend.

Ekspertë të cituar më herët nga Radio Evropa e Lirë kanë vlerësuar se devijimi i rrjedhës së Ibrit është teknikisht i mundshëm, por do të kërkonte kosto shumë të larta. Sipas tyre, nëse një ndërhyrje e tillë do t’i shkaktonte dëme Kosovës, ajo mund të binte ndesh me parimet e së drejtës ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare.

Serbia është nënshkruese e Konventës së Kombeve të Bashkuara të vitit 1997 për përdorimin e rrjedhave ujore ndërkombëtare për qëllime të tjera përveç lundrimit. Konventa përcakton, ndër të tjera, parimin e shfrytëzimit të drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare dhe detyrimin për të shmangur shkaktimin e dëmeve të konsiderueshme ndaj shteteve të tjera.

Kosova, ndërkohë, nuk është palë në këtë konventë, pasi nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit