Transmetuar më 11-08-2026, 13:42

DELVINË, 11 gusht 2026 – Një aksident i rëndë është regjistruar mesditën e kësaj të marte në aksin nacional Delvinë-Sarandë, pranë një pike karburanti, në kthesën që të çon drejt fshatit Bajkaj.

Sipas informacioneve paraprake, një autobus i linjës Delvinë-Sarandë ka përplasur 65-vjeçarin Agim Vocka, banues në fshatin Bajkaj, i cili në momentin e aksidentit ishte duke lëvizur në këmbë.

Pas përplasjes, drejtuesi i autobusit, Vangjel Zoto, është larguar nga vendi i ngjarjes, por është kapur më vonë nga shërbimet e Policisë së Delvinës.

Nga përplasja, 65-vjeçari ka pësuar dëmtime të rënda në kokë, përfshirë frakturë dhe hemorragji cerebrale. Sipas të dhënave paraprake, ai ndodhet në gjendje kome.

Për shkak të rëndimit të gjendjes shëndetësore, është vendosur transportimi i tij me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku do të marrë trajtim të specializuar.

Ndërkohë, shërbimet e Qarkullimit Rrugor të Sarandës kanë mbërritur në vendngjarje dhe po punojnë për dokumentimin e aksidentit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të përplasjes.

Hetimet për ngjarjen vijojnë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit