

MILANO – Një ngjarje e rëndë është regjistruar në një klub nate në qytetin e Milanos, ku një balerinë italiane ka kallëzuar një klient 25-vjeçar me origjinë shqiptare për sulm seksual, duke pretenduar se ai i hodhi drogë në pije dhe e detyroi të kryente marrëdhënie seksuale nën efektin e saj.
Sipas dëshmisë së viktimës dhënë autoriteteve italiane, ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të vona të së dielës, kur ajo ishte në orar zyrtar pune.
Klienti, i cili kishte rënë dakord me drejtuesit e lokalit për të kaluar rreth gjysmë ore në një dhomë private të lokalit, e ka dërguar atje larg syve të personelit të sigurisë.
Ndërhyrja e karabinierëve dhe hetimet në vazhdim
Alarmi u ngrit rreth orës 05:00 të mëngjesit të së hënës, pasi 25-vjeçari – i cili rezulton me precedentë të mëparshëm penalë – nisi të krijonte shqetësime për personelin e lokalit. Patrullat e para të karabinierëve mbërritën menjëherë në vendngjarje, duke marrë dëshminë e balerinës, e cila kishte arritur të largohej nga dhoma private.
Vajza u shoqërua nga ekipet mjekësore në një qendër të specializuar kundër dhunës, ku iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore dhe mori ndihmë psikologjike. Rezultatet e analizave mjekësore dhe biologjike, përfshirë sekuestrimin e rrobave të të dyja palëve, pritet të hedhin dritë mbi dinamikën e plotë të ngjarjes.
Prokuroria e Milanos ka nisur hetimet ndaj 25-vjeçarit, i cili aktualisht po hetohet në gjendje të lirë për veprën penale të dhunës seksuale, ndërsa autoritetet po presin formalizimin e plotë të denoncimit dhe marrjen e sërishme në pyetje të viktimës, e cila ndodhej në gjendje shoku në momentin e parë të ndërhyrjes. Corriere
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






