

DURRËS – Një 29-vjeçar me shtetësi suedeze është vënë në pranga nga Policia e Durrësit, pasi u kap duke lëvizur i armatosur në qytetin bregdetar gjatë pikës së sezonit turistik.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja u regjistrua në kuadër të fazave të radhës të operacionit policor të koduar “Siguria”, i cili synon garantimin e rendit dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale përgjatë vijës bregdetare.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh, në bazë të kontrolleve të intesifikuara dhe informacioneve operative, kanë ndalur të riun me iniciale O. K., 29 vjeç. Gjatë kontrollit fizik dhe të çantës së dorës (marsup) që ai mbante me vete, uniformat blu zbuluan dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, e cila ishte me karrikatortë të mbushur me fishekë dhe gati për qitje.
Autoritetet ende nuk kanë bërë publike motivet e lëvizjes së të riut me armë zjarri pa leje apo ndonjë plan të mundshëm të tij në qytet. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimet intensive për të zbardhur rrethanat e plota dhe qëllimin e armëmbajtjes nga ana e turistit suedez.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






