Transmetuar më 11-08-2026, 11:21

TIRANË – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, i është kundërpërgjigjur homologut të tij serb, Marko Gjuric, duke e zhvendosur fokusin e debatit nga tonet e ashpra të diplomagisë publike te nevoja urgjente për dialog, bashkëpunim rajonal dhe mbrojtjen e paqes.

Reagimi vjen pas shkëmbimit të mëparshëm të deklaratave mes Prishtinës, Tiranës dhe Beogradit rreth zhvillimeve në veri të Kosovës dhe çështjes së lumit Ibër. Duke vlerësuar tonin më të qetë të mbylljes së mesazhit të Gjuric, Hoxha theksoi se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor nuk mund të ndërtohet mbi kërcënime dhe akuza reciproke.

Çështja e lumit Ibër dhe solidariteti rajonal

Në kundërpërgjigjen e tij, ministri shqiptar u ndal te debati gjeografik për rrjedhën e lumit Ibër, duke pranuar se ai nuk kalon fizikisht në territorin e Shqipërisë, por duke hedhur poshtë idenë se kjo i heq Tiranës të drejtën të reagojë ndaj padrejtësive apo kërcënimeve që prekin jetën e qytetarëve në rajon.

“Uji është jetë. Ai nuk mban pasaportë, nuk lexon harta politike dhe nuk ndalet të pyesë se në cilën anë të një kufiri po rrjedh. Prandaj, kthimi i tij në një instrument ndëshkimi nuk është thjesht çështje e dikujt tjetër,” u shpreh Hoxha, duke shtuar se Shqipëria do të reagonte me të njëjtën forcë edhe nëse një kërcësim i ngjashëm do t’i drejtohej Serbisë.

Sipas tij, fqinjësia e mirë nuk matet me llogaritë e ngushta se ku arrin uji i rubinetit, por me ndarjen e përgjegjësisë së përbashkët për të mos helmuar bashkëjetesën paqësore në rajon.

Apeli për “më shumë Europë dhe më pak mitologji”

Në përmbyllje të mesazhit të tij, ministri Ferit Hoxha bëri thirrje që energjitë e politikës rajonale të drejtohen nga integrimi evropian dhe bashkëpunimi i sinqertë, duke lënë pas fantazmat e së kaluarës.

Për perspektivën evropiane: Shqipëria mbetet e palëkundur në mbështetjen e një Bashkimi Europian të zgjeruar, që përfshin Kosovën, Serbinë dhe të gjithë vendet e rajonit.

Për retorikën: "Lumenjtë duhet të mbartin ujë, jo kërcënime, dhe kufijtë duhet të përcaktojnë juridiksionet, jo të ndajnë përgjegjësinë tonë për paqen," theksoi ai.

Hoxha e mbylli reagimin me një mesazh simbolik: “Le të vazhdojmë me më shumë Europë, më pak mitologji dhe më shumë arsye për ta parë të kaluarën tonë përmes syve të së ardhmes… Dhe, po, ujë për të gjithë. Për ta pirë në paqe dhe për të ujitur, po aq paqësisht, tokat pjellore të lagjes sonë të përbashkët.”

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit