

TIRANË – Territori shqiptar është përfshirë nga një valë e re vatrash zjarri gjatë 24 orëve të fundit, ku autoritetet raportojnë gjithsej 25 raste. Pjesa më e madhe e tyre janë vënë nën kontroll dhe shuar, ndërsa pesë vatra vijojnë të mbeten aktive dhe një zonë mbahet nën vëzhgim të rreptë.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, për menaxhimin e situatës është angazhuar një forcë e madhe operacionale prej 365 efektivësh dhe 37 automjetesh zjarrfikëse. Në mbështetje të tyre kanë vepruar 158 efektivë të Forcave të Armatosura me 10 mjete, si dhe katër helikopterë të Forcës Ajrore që kanë ndërhyrë nga ajri në zonat më të vështira.
Përditësimi sipas rajoneve kryesore:
Krujë: Puna vijon në lagjen Abaze dhe në zonën Krastë–Halil. Në Abaze, pavarësisht erës që ka favorizuar flakët, autoritetet konfirmojnë se nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në Krastë–Halil, ndërhyrja e dy helikopterëve në orët e para të mëngjesit ka bërë të mundur normalizimin e situatës, ku po punohet për shuarjen përfundimtare.
Mallakastër / Patos: Vatrat në Riban, Ngraçan, Panahor dhe Çyçen janë shuar plotësisht, ndërsa në Drenie është shënuar një riaktivizim në thellësi të pyllit, ku trupat operacionale ndodhen në terren.
Tiranë: Në Priskë të Madhe vijojnë përpjekjet për vënien nën kontroll të vatrës, e cila nuk paraqet rrezik për banbanesat. Ndërkohë, Mali i Dajtit mbahet nën monitorim të vazhdueshëm.
Përmet: Vatra e zjarrit në malin e Nëmerçkës nuk përbën rrezik për zonat e banuara.
Nga ana tjetër, situata është qetësuar plotësisht në disa zona të tjera, ku vatrat në Cikallesh (Kavajë), Vilëz (Kurbin), Kallmet i Vogël (Lezhë) dhe Goraj–Budishë (Malësi e Madhe) janë shuar totalisht.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) dhe strukturat e emergjencave mbeten në gatishmëri të lartë kombëtare deri në neutralizimin e plotë të çdo vatre aktive në vend.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






