

Pas ngjarjes së ndërtimit të një objekti pa leje në Himarë 5 katësh, i cili u shemb nga IKMT dhe veprimet e para proçedurale u kryen nga Policia e Shtetit dhe arrestuan në flagrancë poseduesin e ndërtesës.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore njoftoi sot se vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të përgjegjësive të punonjësve të Policisë së Shtetit të përfshirë në këtë rast, ku konkretisht;
Nga hetimet e kryera deri më tani, rezulton se në këtë ngjarje është përfshirë zinxhiri komandues i strukturave policore të Komisariatit të Policisë Himarë, konkretisht janë katër punonjës të Policisë së Shtetit, ndaj të cilëve po procedohet për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, neni 248 i Kodit Penal.
• Emiljano Prenga, me detyrë Shef i Krimeve në Volum, Komisariati i Policisë Divjakë, më parë Shef i Krimeve në Volum, Komisariati i Policisë Himarë, i ndaluar.
• Klodian Petani, me detyrë Specialist i Hetimit të Krimeve, Komisariati i Policisë Vlorë, më parë Specialist i Hetimit të Krimeve, Komisariati i Policisë Himarë, i ndaluar.
• Ferit Merkaj, me detyrë Shef i Seksionit të Trafiqeve, DVP Vlorë, më parë Shef i Komisariatit të Policisë Himarë, i shpallur në kërkim.
• Redin Çaushaj, me detyrë SPZ, Komisariati i Policisë Himarë, i shpallur në kërkim.
Në vijim të veprimeve procedurale, dy prej punonjësve të shpallur në kërkim janë paraqitur dhe janë ndaluar me iniciativë, ndërsa dy punonjësit e tjerë nuk janë gjetur në banesat e tyre dhe, pavarësisht njoftimeve ende nuk janë paraqitur pranë strukturave përkatëse.
Për dy punonjësit e tjerë janë kryer procedurat për shpalljen e tyre në kërkim.
AMP vijon veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe dokumentimin e përgjegjësive ligjore.
Çfarë tha më herët Policia e Shtetit
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, pezullon nga detyra gjithë zinxhirin komandues të Komisariatit të Policisë Himarë, që kanë qenë në detyrë gjatë periudhës kur është ndërtuar një objekt 5-katësh pa leje në Qeparo, Himarë
Në vijim të masave të marra për evidentimin dhe goditjen e ndërtimeve pa leje, si dhe vënien përpara përgjegjësisë të personave përgjegjës, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ka bërë pezullimin e menjëhershëm nga detyra të katër punonjësve të Policisë, konkretisht:
– Nënkomisar F. M., ish-Shef i Komisariatit të Policisë Himarë, aktualisht Shef i Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Vlorë;
– Komisar E. P., ish-Shef i Seksionit dhe Specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Volum, në Komisariatin e Policisë Himarë, aktualisht Shef i Seksionit dhe Specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Volum, në Komisariatin e Policisë Divjakë;
– Nënkomisar K. P., ish-Specialist për Hetimin e Krimit, Zona Policore nr. 1, aktualisht Specialist për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë;
– Inspektor R. Ç., me detyrë Ndihmës/Specialist SPZ, Zona Policore nr. 1, në Komisariatin e Policisë Himarë, zonë në të cilën u konstatua ndërtimi pa leje.
Pezullimi i menjëhershëm i tyre dhe nisja e hetimit disiplinor u bë pasi, në vendin e quajtur “Sugë”, Qeparo, Himarë, u konstatua se shtetasi L. B., banues në Laç, kishte ndërtuar një objekt me një kat nëntokë dhe katër kate mbi tokë, pa lejen e organeve kompetente.
Ky shtetas u arrestua ditën e djeshme nga Komisariati i Policisë Himarë, ndërsa u shpallën në kërkim 3 punonjës të IMT-së Himarë, konkretisht kryeinspektori dhe 2 inspektorë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Nga verifikimet paraprake rezulton se ndërtimi i objektit kishte filluar në dhjetor 2025 dhe nga ana e Komisariatit të Policisë Himarë nuk janë marrë masa për parandalimin e ndërtimit dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasit që po kryente ndërtimin.
Policia e Shtetit është e vendosur të ndëshkojë dhe largojë nga radhët e saj, cilindo punonjës policie që nuk zbaton ligjin, nuk përmbush detyrën, abuzon me të dhe cenon besimin e qytetarëve.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






