Transmetuar më 11-08-2026, 08:33

Lirohet personi i arrestuar për zjarrvënien e dyshuar në Abazë, ndërsa dy helikopterë vijojnë operacionin për neutralizimin e flakëve.

KRUJË – Një vatër zjarri vijon të jetë aktive në lagjen Abazë të Krujës, pranë zonës ku nisi zjarri masiv që prej ditësh ka përfshirë këtë territor.

Sipas informacioneve nga terreni, në zonë është ndërhyrë disa herë si nga toka, ashtu edhe nga ajri, por vatrat vijojnë të riaktivizohen. Dendësia e gjetheve, bimësisë dhe shtresa e humusit të akumuluar ndër vite po e vështirësojnë shuarjen përfundimtare të zjarrit.

Aktualisht, dy helikopterë po vijojnë ndërhyrjen nga ajri, duke hedhur ujë mbi vatrat pranë lagjes Abazë, si dhe në zonën e lagjes Bojë, në afërsi të Zidollit.

Lirohet i dyshuari për zjarrvënie

Ndërkohë, një zhvillim tjetër lidhet me personin e arrestuar për zjarrvënien e dyshuar në Abazë.

Qemal Berhami, i cili dyshohet se ka lidhje me nisjen e zjarrit, është liruar dhe është kthyer në banesën e tij mbrëmjen e së hënës.

Hetimet për përcaktimin e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive për zjarrin vijojnë, ndërsa situata në terren mbetet nën monitorim të forcave zjarrfikëse dhe strukturave të emergjencave.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit