Transmetuar më 11-08-2026, 07:40

Regjistrimet e mjeteve të reja u rritën me 1.6% krahasuar me një vit më parë. Koreja e Jugut dhe Kina vijojnë të dominojnë tregun, ndërsa numri total i automjeteve në qarkullim ka arritur në rreth 1.1 milionë.

TIRANË – Rreth 58.4 mijë automjete janë regjistruar për herë të parë në Shqipëri gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2026, sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

Në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, regjistrimet janë rritur me 1.6%. Ky është gjithashtu niveli i dytë më i lartë historik për periudhën janar-korrik, pas rekordit të vitit 2024, kur u regjistruan rreth 61.1 mijë automjete.

Vetëm gjatë muajit korrik janë regjistruar rreth 9.6 mijë mjete, me një rënie prej 4.1% krahasuar me korrikun e vitit të kaluar.

Ngadalësohen importet pas muajit mars

Tregu i automjeteve ka shfaqur një ngadalësim të ritmit të importeve pas muajit mars, i lidhur ndër të tjera me vështirësitë e transportit ndërkombëtar dhe rritjen e kostove të transportit pas tensioneve të krijuara në zonën e Ngushticës së Hormuzit.

Kjo situatë ka ndikuar veçanërisht në automjetet e importuara nga tregjet aziatike, edhe pse pjesa më e madhe e tyre nuk transportohet drejtpërdrejt përmes kësaj zone.

6.4 mijë automjete elektrike në 7 muaj

Pas rritjes së fortë të regjistrimeve të automjeteve elektrike gjatë muajve mars dhe prill, interesi duket se është ngadalësuar në muajt në vijim.

Në korrik u regjistruan për herë të parë 682 automjete elektrike, niveli më i ulët i këtij viti.

Megjithatë, në total, gjatë shtatë muajve të parë të vitit janë regjistruar rreth 6.4 mijë automjete elektrike, ose 2.6 herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Automjetet elektrike përbëjnë rreth 11% të të gjitha mjeteve të regjistruara për herë të parë gjatë periudhës janar-korrik. Koreja e Jugut dhe Kina dominojnë tregun

Tregu shqiptar i automjeteve po vijon të orientohet gjithnjë e më shumë drejt vendeve aziatike.

Koreja e Jugut mbetet origjina kryesore e automjeteve të regjistruara në vend. Gjatë shtatë muajve të parë, rreth 15 mijë mjete, ose 26% e totalit të regjistrimeve të reja, kanë ardhur nga ky treg.

Koreja e Jugut ka dominuar tregun shqiptar gjatë tre viteve të fundit, kryesisht për shkak të çmimeve më konkurruese të automjeteve.

Në vendin e dytë renditet Kina, e cila prej rreth një viti ka fituar një peshë të konsiderueshme në treg, e ndihmuar veçanërisht nga kërkesa në rritje për automjetet elektrike.

Gjatë janar-korrikut janë regjistruar rreth 9.5 mijë automjete me origjinë nga Kina, që përbëjnë 16.2% të totalit.

Ndërkohë, Gjermania dhe Italia, të cilat për vite me radhë kanë qenë ndër tregjet kryesore të furnizimit me automjete, renditen tashmë në vendin e tretë dhe të katërt, me përkatësisht rreth 6.9 mijë dhe 6.8 mijë automjete të regjistruara.

1.1 milionë automjete në qarkullim

Me ritmet aktuale të regjistrimeve, numri total i automjeteve që qarkullojnë në rrugët e Shqipërisë ka arritur në rreth 1.1 milionë në fund të muajit korrik.

Rritja e numrit të automjeteve, veçanërisht e mjeteve elektrike, po ndryshon gradualisht edhe strukturën e tregut shqiptar të automjeteve, ndërsa importet nga Koreja e Jugut dhe Kina po marrin gjithnjë e më shumë peshë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit