

Euro vijon rënien në tregun shqiptar, e ndikuar nga prurjet valutore, turizmi, investimet e huaja dhe suficiti i lartë buxhetor. Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë në treg për të blerë valutë, por rënia e euros vijon.
TIRANË – Euro ka shënuar një tjetër rekord negativ në tregun shqiptar të këmbimit valutor, duke zbritur për herë të parë në 93.07 lekë, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë.
Ky është niveli më i ulët i regjistruar që prej fillimit të përdorimit të euros si monedhë fizike dhe shënon një tjetër forcim të lekut përballë monedhës europiane.
Vetëm gjatë vitit 2026, euro ka humbur rreth 3.8% të vlerës së saj kundrejt lekut.
47.5 lekë më pak se rekordi i vitit 2011
Rënia bëhet edhe më e dukshme nëse krahasohet me nivelin rekord të euros në Shqipëri.
Në shkurt të vitit 2011, euro arriti në 140.4 lekë, ndërsa sot këmbehet me rreth 47.5 lekë më pak.
Në terma relativë, kjo përkthehet në një rënie prej rreth 34% të euros kundrejt lekut në harkun e 15 viteve.
Sipas agjentëve të tregut valutor, një nga faktorët që po ndikon në këtë periudhë janë prurjet valutore të lidhura me sezonin turistik, i cili gjatë muajve të verës arrin pikun.
Megjithatë, rënia e euros nuk konsiderohet thjesht një fenomen sezonal. Tendenca ka nisur që në muajt e parë të vitit dhe vijon prej disa vitesh.
Turizmi dhe investimet e huaja shtojnë prurjet në euro
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, deficiti i llogarisë korrente zbriti në 228 milionë euro, duke u ulur me 28% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në të njëjtën kohë, investimet e huaja direkte arritën në 404 milionë euro, duke shënuar një rekord të ri për këtë periudhë dhe një rritje prej 11.6% në raport me vitin e kaluar.
Pas vitit 2024, krahas flukseve të tjera valutore, turizmi është kthyer në një faktor gjithnjë e më të rëndësishëm për tregun e këmbimit. Numri i hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri ka kaluar 12 milionë në vit, duke rritur ofertën e valutës në tregun vendas.
Dyshimet për flukset informale
Përtej faktorëve të evidentuar në statistikat zyrtare, në treg vijon të ekzistojë edhe perceptimi se forcimi i lekut ndikohet nga flukse valutore informale.
Raste të bëra publike nga institucionet shqiptare të drejtësisë kanë evidentuar investime të konsiderueshme në pasuri të paluajtshme të lidhura me aktivitete kriminale, duke ushqyer debatin mbi ndikimin që paratë e padeklaruara mund të kenë në tregun e pasurive dhe në ekonominë shqiptare.
Sipas analizave të tregut, gjatë periudhës 2016-2024, dobësimi gradual i euros është lidhur në një masë të konsiderueshme me flukset valutore që kanë shoqëruar rritjen e aktivitetit të ndërtimit, ndërsa pas vitit 2024 kësaj dinamike i janë shtuar edhe të ardhurat e lidhura me turizmin.
Suficiti buxhetor, një tjetër faktor
Një tjetër faktor që mund të ketë ndikuar në forcimin e lekut është politika fiskale e ndjekur nga qeveria, e karakterizuar nga suficite të larta buxhetore gjatë pjesës më të madhe të vitit.
Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, suficiti buxhetor arriti në 52.8 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 60% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas analizave të tregut, një suficit i lartë fiskal ndikon në reduktimin e ofertës së lekut në qarkullim dhe mund të mbështesë forcimin e monedhës vendase.
Banka e Shqipërisë ndërhyn në treg
Përballë forcimit të vazhdueshëm të lekut, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë në tregun valutor për të blerë euro dhe për të zbutur luhatjet e kursit.
Sipas burimeve të tregut, banka qendrore ka ndërhyrë dy herë gjatë kësaj jave për të blerë valutë.
Që nga fillimi i vitit 2024 deri në fund të tremujorit të parë të vitit 2026, Banka e Shqipërisë ka blerë nga tregu rreth 2.2 miliardë euro.
Vetëm gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, blerjet e valutës arritën në rreth 140 milionë euro, duke shënuar një rekord për këtë periudhë.
Megjithatë, ndërhyrjet e bankës qendrore duket se kanë zbutur vetëm pjesërisht ritmin e rënies së euros, ndërsa presionet për forcimin e lekut vijojnë të mbeten të forta në tregun vendas.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






