Transmetuar më 11-08-2026, 07:36

Rritja e çmimeve të ushqimeve, qirave dhe karburanteve shtyn koston e jetesës. Inflacioni qëndron mbi objektivin prej 3% të Bankës së Shqipërisë për të dytin muaj radhazi.

TIRANË – Kostoja e jetesës në Shqipëri është shtrenjtuar më tej gjatë muajit korrik, ndërsa inflacioni ka vijuar të rritet, duke arritur në 3.4%, nga 3.2% që ishte një muaj më parë.

Sipas të dhënave të INSTAT, ky është niveli më i lartë i inflacionit që nga janari i vitit 2024. Rritja e çmimeve është ndikuar kryesisht nga ushqimet dhe pijet joalkoolike, qiratë, shërbimet e lidhura me banesën dhe karburantet.

Ushqimet dhe qiratë, ndikimi kryesor në rritjen e çmimeve

Grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” ka dhënë kontributin më të madh në rritjen vjetore të çmimeve, me 1.18 pikë përqindje.

Pas tij renditet grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera”, me një ndikim prej 0.83 pikë përqindje.

Ndërkohë, “Transporti” ka kontribuar me 0.52 pikë përqindje, ndërsa “Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0.23 pikë përqindje.

Kontribute pozitive kanë dhënë edhe grupet “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Restorante dhe shërbime akomodimi”, me nga 0.15 pikë përqindje secili, si dhe “Kujdesi personal dhe mallra e shërbime të ndryshme”, me 0.14 pikë përqindje.

Në kahun e kundërt, çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” kanë ndikuar me -0.07 pikë përqindje, ndërsa “Informacioni dhe komunikimi” me -0.03 pikë përqindje.

Inflacioni mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë

Me 3.4%, inflacioni ndodhet për të dytin muaj radhazi mbi objektivin prej 3% të Bankës së Shqipërisë.

Në mbledhjen e fundit, banka qendrore vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në 2.5%, pavarësisht rritjes së presioneve inflacioniste.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka deklaruar se banka vijon të vlerësojë si të përkohshëm efektin inflacionist të rritjes së çmimeve të naftës. Ndërkohë, sipas tij, rritja e inflacionit bazë dhe presioneve të brendshme inflacioniste po ndikohet kryesisht nga shtrenjtimi i qirave.

Banka e Shqipërisë pret që inflacioni të qëndrojë lehtësisht mbi objektiv në afatin e shkurtër dhe të rikthehet gradualisht drejt nivelit 3% gjatë tremujorëve në vijim.

Qiratë në Tiranë rëndojnë buxhetin familjar

Një nga faktorët kryesorë që po ndikon në koston e jetesës është rritja e qirave, veçanërisht në Tiranë.

Sipas të dhënave të referuara nga “Monitor”, gjatë periudhës janar-qershor 2026, qiraja mesatare për një apartament 1+1 në Tiranë arriti në rreth 590 euro në muaj, ndërsa për një apartament 2+1 rreth 954 euro.

Këto nivele përfaqësojnë rritje të ndjeshme krahasuar me periudhën janar-qershor 2024, me rritje që variojnë nga 4.4% deri në 27%, në varësi të tipologjisë dhe zonës.

Sipas standardeve ndërkombëtare të përballueshmërisë së strehimit, kur shpenzimet për qiranë kalojnë 30% të të ardhurave mujore, familja konsiderohet se përballet me një barrë të konsiderueshme financiare. Kur kjo përqindje kalon 50%, situata konsiderohet edhe më problematike dhe lidhet me rrezik më të lartë të pasigurisë në strehim.

Sipas llogaritjeve të publikuara nga “Monitor”, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, kufiri i përballueshmërisë së qirasë është tejkaluar në 13 zona të Tiranës. Në disa prej tyre, kostoja e strehimit arrin në 80-90% të të ardhurave mujore, ndërsa në zona të caktuara e tejkalon edhe 100%.

Çmimet e transportit rriten me 8%

Krahasuar me korrikun e vitit 2025, rritjen më të madhe të çmimeve e ka regjistruar grupi “Transporti”, me 8%.

Pas tij renditen “Argëtim, sport dhe kulturë” me 6%, “Sigurime dhe shërbime financiare” me 4.5%, “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” me 4.1% dhe “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3.5%.

Rritje kanë shënuar gjithashtu çmimet e mobilieve dhe pajisjeve të shtëpisë me 3.3%, si dhe ato të kujdesit personal dhe mallrave e shërbimeve të ndryshme me 3.1%.

Ndërkohë, çmimet e veshjeve dhe këpucëve janë ulur me 1.8%, ndërsa grupi “Informacioni dhe komunikimi” ka regjistruar një rënie prej 0.9%.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit