

TIRANË – Shqipëria do të vijojë të përfshihet nga temperatura të larta gjatë ditës së sotme, nën ndikimin e masave ajrore të qëndrueshme dhe të nxehta.
Sipas parashikimit meteorologjik, moti do të jetë kryesisht i kthjellët, ndërsa vranësira të pakta deri mesatare priten kryesisht gjatë orëve të mesditës dhe pasdites, veçanërisht përgjatë zonave malore.
Temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri në 41°C. Në Gjirokastër termometri parashikohet të shënojë 41°C, ndërsa në Shkodër dhe Berat temperaturat do të ngjiten deri në 40°C.
Edhe zonat e tjera të vendit do të përballen me temperatura të larta, duke bërë që dita të jetë veçanërisht e nxehtë në orët e mesditës dhe pasdites.
Sa i përket erës, ajo do të fryjë kryesisht nga veriu dhe veriperëndimi, me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s. Përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore, era pritet të forcohet herë pas here, duke arritur deri në 14 m/s.
Në det parashikohet valëzim i forcës 1-3 ballë.
Me temperaturat që pritet të arrijnë deri në 40-41°C, veçanërisht në disa zona të vendit, këshillohet shmangia e ekspozimit të zgjatur në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






