

TIRANË – Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj deklaratave të ardhura nga Beogradi lidhur me mundësinë e ndërhyrjes në rrjedhën e lumit Ibër, duke theksuar se Kosova është një shtet sovran dhe se çdo projekt që mund të ndikojë në territorin e saj duhet të respektojë parimet e së drejtës ndërkombëtare.
Në një postim në platformën “X”, Rama u përgjigjet debateve të fundit mes zyrtarëve shqiptarë dhe serbë, duke kundërshtuar paralelizmat me konceptin e “Shqipërisë së Madhe”.
Sipas kryeministrit, Shqipëria nuk ka pretendime territoriale ndaj Serbisë dhe nuk ka nevojë për një projekt të tillë për të mbështetur Kosovën.
“Shqipëria nuk ka asnjë pretendim ndaj territorit të Serbisë dhe nuk ka nevojë të shpikë një të tillë. Po ashtu, nuk kemi nevojë për një ‘Shqipëri të Madhe’ për të qëndruar pranë Kosovës”, shkruan Rama.
Ai nënvizon se Kosova është një shtet më vete, me institucionet dhe të drejtën e saj për të vendosur për të ardhmen, duke përsëritur mbështetjen e Shqipërisë ndaj kësaj të drejte.
Rama: Territori i Kosovës nuk është territor serb
Duke iu referuar qëndrimit të Beogradit ndaj statusit të Kosovës, Rama shprehet se territori i Republikës së Kosovës nuk mund të konsiderohet territor i Serbisë.
“Territori i Republikës së Kosovës nuk është territor serb dhe burimet natyrore që ndodhen në të nuk janë burime të Republikës së Serbisë”, deklaron ai.
Kryeministri shqiptar e lidh këtë çështje edhe me debatin për lumin Ibër, duke argumentuar se bëhet fjalë për një sistem ujor ndërkufitar.
Sipas Ramës, Serbia është e lirë të menaxhojë burimet ujore brenda juridiksionit të saj, por çdo veprim që mund të shkaktojë pasoja për një shtet tjetër duhet të marrë parasysh detyrimet që burojnë nga e drejta ndërkombëtare.
“Çështja fillestare mbetet pikërisht aty ku e la Shqipëria: Ibri është një sistem ujor ndërkufitar”, shkruan Rama.
Të drejtat e komunitetit serb në Kosovë
Në reagimin e tij, Rama ndalet edhe te komuniteti serb në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të tij.
Ai përmend sigurinë, pronën, gjuhën dhe trashëgiminë kulturore e fetare si çështje që duhet të garantohen.
“Siguria e tyre ka rëndësi. Prona, gjuha, trashëgimia kulturore dhe fetare e tyre duhet të mbrohen”, shprehet kryeministri.
Rama përsërit gjithashtu se Shqipëria synon marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë dhe integrimin e të gjithë rajonit në Bashkimin Evropian.
“Ibri do të rrjedhë sipas gjeografisë, jo sipas folklorit”
Në fund të reagimit, Rama kritikon retorikën politike që, sipas tij, rikthehet vazhdimisht te pretendimet historike dhe territoriale në rajon.
Ai thekson se e ardhmja evropiane e Ballkanit kërkon pranimin e kufijve ekzistues dhe respektimin e sovranitetit të shteteve.
“Fqinjësia e mirë nuk mund të nënkuptojë që çdo fqinj i Serbisë të detyrohet të jetojë përgjithmonë sipas versionit serb të historisë”, shkruan Rama.
Kryeministri e mbyll reagimin me një referencë të drejtpërdrejtë ndaj debatit për lumin Ibër: “Ibri, krejtësisht i pavetëdijshëm për të gjitha hartat tona historike, do të vazhdojë të rrjedhë sipas gjeografisë dhe jo sipas folklorit.”
Reagimi i Ramës vjen pas replikave të shkëmbyera mes zyrtarëve shqiptarë dhe serbë lidhur me lumin Ibër dhe statusin e Kosovës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






