Transmetuar më 11-08-2026, 00:26

TIRANË — Ish-kryeministri Pandeli Majko kritikoi presidentin serb Aleksandar Vuçiç pas deklaratave të tij mbi mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër, duke e cilësuar retorikën e Beogradit ndaj shqiptarëve si të papajtueshme me aspiratat evropiane të Serbisë.

Në një reagim publik, Majko iu referua deklaratave të Vuçiçit se autoritetet serbe po shqyrtojnë mundësinë e ndërhyrjes në rrjedhën e Ibrit në territorin e Serbisë, në kontekstin e trajtimit të komunitetit serb nga autoritetet në Prishtinë.

Sipas Majkos, një qasje e tillë nuk përputhet me frymën politike dhe juridike të Evropës moderne.

“Në hapësirën europiane ku Serbia dëshiron të bëjë pjesë, reflekse të tilla vijnë nga periudha përpara se qytetërimi të shkruante ligjet”, shkroi ai.

Majko argumentoi se Vuçiç po përpiqet ta vendosë marrëdhënien me shqiptarët në qendër të debatit politik të brendshëm në Serbi dhe e lidhi këtë me zhvillimet elektorale në vend.

Ai komentoi gjithashtu vizitën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Beograd, duke thënë se ajo ngre pikëpyetje mbi koherencën e politikës së jashtme serbe.

Sipas Majkos, Serbia ndjek një politikë kontradiktore, duke synuar integrimin në Bashkimin Evropian ndërkohë që ruan marrëdhënie të veçanta me Rusinë dhe nuk ndjek plotësisht politikën evropiane ndaj Moskës.

Ai përmendi gjithashtu praninë e shtetasve serbë që kanë luftuar përkrah forcave ruse në Ukrainë dhe, në të njëjtën kohë, raportet për shitjen e armëve serbe që kanë përfunduar në Ukrainë.

Majko argumentoi se mosnjohja e Kosovës nga Ukraina nuk duhet të paraqitet si një fitore politike për Beogradin.

“Të ‘gëzohesh’ pse presidenti ukrainas, për arsye të rrethanave të vendit të tij, nuk njeh Kosovën nuk është sukses”, shkroi ai.

Ish-kryeministri shqiptar e përshkroi politikën e Vuçiçit si të vendosur mes interesave të kundërta të Serbisë ndaj Rusisë, Ukrainës dhe Bashkimit Evropian.

Ai tha se këto kontradikta duhet t’u shpjegohen para së gjithash qytetarëve serbë dhe jo shqiptarëve.

“Politika e ‘Aleksandrit të vogël’ të Serbisë është në një udhëkryq. Ajo ju duhet përkthyer serbëve dhe jo shqiptarëve”, shkroi Majko.

Në fund të reagimit, ai e krahasoi politikën e presidentit serb me përrallën e Hans Christian Andersen për “mbretin lakuriq”, duke sugjeruar se, sipas tij, kontradiktat e politikës së Beogradit janë gjithnjë e më të dukshme.

Deklarata e plotë

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se autoritetet serbe po shqyrtojnë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër në territorin e Serbisë! Ai e lidh këtë veprim shtetëror me trajtimin e serbëve nga autoritetet në Prishtinë, “… dhe do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”! Në hapësirën europiane ku Serbia dëshiron të bëjë pjesë, reflekse të tilla vijnë nga periudha përpara se qytetërimi të shkruante ligjet!

Duket se Aleksandër Vuçiç dëshiron që “marrdhënien me shqiptarët” ta bëj fabulën e zgjedhjeve elektorale në Serbi!

Presidenti i Serbisë e vendosi edhe vizitën e presidentit të Ukrainës Zelenski në Beograd në kontekstin e pyetjes retorike “A kanë pasur shqiptarët goditje më të fortë se kjo në 14 vitet e fundit?”…

Në fakt, vizita e presidentit Zelenski në Beograd ngre pikëpyetje thelbësore për seriozitetin e politikës shtetërore serbe!

Vështirë të gjesh një precedent të dytë ku një shtet që dëshiron të integrohet në Bashkimin Europian refuzon të ndjekë politikën europiane me Rusinë, për shkak të marrdhënieve të veçanta me Moskën!

Vështirë të gjesh një rast në histori, kur nga një komb si ai serb shkojnë me qindra vullnetarë për të luftuar në krah të rusëve në Ukrainë, ndërsa qeveria e tyre bën tregëti armësh me Kievin!

Të “gëzohesh” pse presidenti ukrainas, për arsye të rrethanave të vendit të tij, nuk njeh Kosovën nuk është sukses! Të “vrasësh” me armë serbe, vullnetarët serbë që luftojnë kundër Ukrainës ky është një guxim që tejkalon edhe “ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër”!

Të presësh presidentin e një vendi që është në luftë me Rusinë që ka bërë më shumë për Serbinë në dy shekujt e fundit duhet një guxim që nuk e “lan” as lumi Ibër…

Politika e “Aleksandrit të vogël” të Serbisë është në një udhëkryq! Ajo ju duhet përkthyer serbëve… dhe jo shqiptarëve! Kjo politikë të kujton veç përrallën e Andersenit të mbretit lakuriq…!

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit