Transmetuar më 10-08-2026, 23:23

NEW JERSEY – Një shqiptar në New Jersey është bërë protagonist i një akti human, duke ndihmuar në shpëtimin e një 50-vjeçari që rrezikonte të mbytej në ujërat e oqeanit.

Xhemo Lanica, me origjinë nga Ulqini dhe prej shtatë vitesh emigrant në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka ndërhyrë pasi ka parë se 50-vjeçari ndodhej në rrezik. Në një intervistë për Euronews Albania, me gazetarin Xhensil Shkëmbi, ai ka rrëfyer momentet e vështira të ndërhyrjes dhe përpjekjet për ta nxjerrë në breg.

Lanica tregon se nuk u mendua dy herë përpara se të hynte në ujë për ta ndihmuar personin. I rritur pranë detit, ai shprehet se eksperienca e tij e ndihmoi të përballonte situatën, edhe pse rrymat e forta të oqeanit dhe pesha e 50-vjeçarit e bënë ndërhyrjen veçanërisht të vështirë.

Pak çaste më vonë, në ndihmë të tij mbërritën edhe disa shpëtimtarë të plazhit. Pas rreth 15 minutash përpjekje dhe koordinimi, 50-vjeçari u nxor në breg.

“Për të vërtetë falënderoj Zotin që isha aty dhe që të mund t’i jap një dorë për ta ndihmuar. Në raste të tilla nuk ke pse të mendosh dy herë kur jeta e një personi tjetër është në rrezik”, rrëfeu Lanica për Euronews Albania.

Pas shpëtimit, shqiptari pati mundësinë të komunikonte me 50-vjeçarin, i cili e falënderoi për ndërhyrjen dhe i tha se për të ishte një “shans i dytë në jetë”.

Lanica thekson se shpëtimi nuk ishte vetëm meritë e tij, por rezultat i bashkëpunimit të të gjithë personave që ndodheshin në zonë.

Sipas tij, disa persona dhanë udhëzime, ndërsa të tjerë ndihmuan fizikisht në tërheqjen e litarit, duke bërë të mundur që operacioni të përfundonte me sukses.

“Humanizmi nuk ka kufi, nuk ka fe dhe nuk ka nacionalitet”, u shpreh ai.

Për Lanicën, ngjarja është gjithashtu një mundësi për të treguar një tjetër anë të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara, larg stereotipeve dhe lajmeve negative.

“Sot kemi doktorë, avokatë, njerëz me shkollim të lartë dhe po përfaqësohemi shumë mirë. Unë jam vërtet krenar për të gjithë shqiptarët dhe bashkëatdhetarët e mi”, tha Lanica.

Akti i tij, i realizuar në bashkëpunim me shpëtimtarët e plazhit dhe personat e tjerë të pranishëm, është kthyer në një shembull solidariteti dhe humanizmi.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit