

BEOGRAD – Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka reaguar sërish lidhur me deklaratat e tij për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër, çështje që ka shkaktuar reagime në Prishtinë dhe Tiranë.
Në një prononcim për transmetuesin publik serb RTS, Vuçiç e ka cilësuar ndryshimin e rrjedhës së Ibrit si një “çështje të brendshme të jona”, duke vënë në pikëpyetje përfshirjen e Shqipërisë në debat.
“Nuk e di se çfarë lidhjeje ka Ibri me Shqipërinë”, është shprehur presidenti serb.
Deklaratat e Vuçiç vijnë pas reagimeve të palës shqiptare dhe diskutimeve për përfshirjen e institucioneve evropiane në çështjen e lumit Ibër, i cili lidhet me sistemin ujor që furnizon edhe Liqenin e Ujmanit, një burim i rëndësishëm ujor për Kosovën.
Duke komentuar reagimet e krijuara pas deklaratës së tij, Vuçiç tha se do të pritet për të parë se çfarë konkretisht do të ndodhë lidhur me projektet e përmendura.
“Kemi një problem diku rreth Ribaric-it, le të shohim, le të shohim për çfarë bëhet fjalë dhe pastaj do të shohim”, deklaroi ai.
Vuçiç akuzon Prishtinën
Presidenti serb e lidhi reagimin ndaj deklaratave të tij edhe me zhvillimet politike dhe marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës.
Sipas Vuçiç, pala shqiptare po përdor çështjen e lumit Ibër për të larguar vëmendjen nga ato që ai i konsideron shkelje ndaj serbëve në Kosovë.
Ai pretendoi se serbët përballen me arrestime, presione dhe dëmtime të pronave, ndërsa akuzoi institucionet e Kosovës dhe faktorë ndërkombëtarë për veprime që, sipas tij, synojnë dobësimin e institucioneve të Serbisë në Kosovë.
“Shqiptarët duhet ta bëjnë këtë për të mbuluar të gjitha krimet e tyre kundër popullit serb – arrestime, ngacmime, ngacmime të serbëve, shembje shtëpish, rrahje fjalë për fjalë të serbëve vetëm sepse serbët janë kudo”, deklaroi Vuçiç.
Ai shtoi se, sipas tij, “terrori po kryhet së bashku me organet e bashkësisë ndërkombëtare për të minuar çdo ditë institucionet e Serbisë në Kosovë dhe për të forcuar institucionet që nuk kanë lidhje me të drejtën ndërkombëtare”.
Deklaratat e presidentit serb vijnë në një moment kur çështja e menaxhimit të burimeve ujore të lumit Ibër ka marrë një dimension të ri politik, për shkak të ndikimit të mundshëm që ndryshimi i rrjedhës së tij mund të ketë në Kosovë.
Debati pritet të vijojë edhe në nivel diplomatik, ndërsa palët kanë paraqitur qëndrime të ndryshme mbi natyrën dhe pasojat e një ndërhyrjeje të mundshme në rrjedhën e lumit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






