

KSAMIL – Një drejtues mjeti lundrues Jet Ski është ndëshkuar me gjobë pasi është konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë në zonën e plazhit në Ksamil, duke rrezikuar pushuesit.
Shërbimet e Policisë Kufitare kanë konstatuar mjetin lundrues gjatë kontrolleve në vijën bregdetare. Sipas policisë, Jet Ski kishte hyrë në zonën e përcaktuar të sigurisë, ku ndodheshin pushues.
Në përfundim të veprimeve administrative, mjeti lundrues është bllokuar, ndërsa drejtuesi, shtetasi me inicialet P. S., është ndëshkuar me 500 mijë lekë të rinj gjobë.
Në vijim të kontrolleve, Policia e Shtetit u ka bërë thirrje përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë me to të respektojnë rregullat e lundrimit dhe perimetrat e sigurisë.
Në njoftimin e Policisë thuhet:
“Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese dhe subjektet që operojnë me to që të respektojnë me rigorozitet perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, duke mos vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e pushuesve. Kontrollet dhe patrullimet do të vijojnë përgjatë gjithë vijës bregdetare, me fokus të veçantë garantimin e sigurisë së pushuesve dhe parandalimin e çdo shkeljeje që rrezikon jetën dhe sigurinë në det.”
Policia njofton se kontrollet dhe patrullimet përgjatë vijës bregdetare do të vijojnë gjatë sezonit veror, me fokus parandalimin e shkeljeve dhe garantimin e sigurisë së pushuesve.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






