

KORÇË – Me dhimbjen e humbjes së djalit të saj 20-vjeçar, nëna e Joan Zukos ka njoftuar se i riu do të përcillet për në banesën e fundit më 11 gusht, në orën 12:00.
Përmes një dedikimi prekës, Ornela Zuko i drejtohet të birit, të cilin e quan “frymën” e saj, “dashurinë më të madhe” dhe “pjesën më të shtrenjtë të zemrës”.
Deklarata e plotë e nënës së Joan Zukos:
“Me zemrën e copëtuar dhe me dhimbjen më të madhe që mund të mbajë shpirti i një nëne, në pamundësi për t’iu përgjigjur të gjithëve, ju njoftojmë se më 11 gusht, në orën 12:00, do t’i japim lamtumirën e fundit birit tim të vogël, dritës së syve të mamit.”
“Biri im, ti do të mbetesh përjetësisht fryma ime, dashuria ime më e madhe dhe pjesa më e shtrenjtë e zemrës sime.”
“Mami nuk do të të harrojë kurrë dhe do të të mbajë brenda shpirtit deri në frymën e fundit. U prehsh në paqe, engjëlli i mamit!”
Joan Zuko, 20 vjeç, ishte mobilizuar si ushtar me pagesë dhe kishte shërbyer për më shumë se një vit. Rreth dy muaj para ngjarjes, ai kishte lënë detyrën, ndërsa, sipas të dhënave të bëra publike, planifikonte të udhëtonte drejt Anglisë, ku ndodhej vëllai i tij.
20-vjeçari u vra pasditen e së shtunës në Korçë. Për ngjarjen u arrestua bashkëmoshatari i tij, Kristjan Sterjo, i cili, sipas të dhënave të bëra publike, kishte qenë edhe shok fëmijërie me Zukon.
Konflikti mes dy të rinjve
Sipas dëshmisë së dhënë nga Sterjo, konflikti mes dy të rinjve kishte nisur më herët dhe ishte shoqëruar me përplasje verbale, provokime dhe debate.
Sterjo ka pretenduar gjithashtu se situata ishte acaruar pas një episodi që lidhej me një vajzë, të cilën ai e konsideronte të dashurën e tij, duke deklaruar se viktima e kishte ngacmuar. Ky version mbetet pjesë e dëshmisë së të arrestuarit dhe po verifikohet nga autoritetet.
Sipas të dhënave të deritanishme të hetimit, Sterjo dyshohet se e ka qëlluar Zukon me armë zjarri, ndërsa ngjarja ka ndodhur në katin e tretë të një pallati në Korçë.
Pas ngjarjes, i dyshuari është larguar nga vendi. Policia dhe forcat RENEA janë angazhuar për gjetjen e tij, ndërsa Sterjo është arrestuar në orët e vona të së njëjtës mbrëmje, në afërsi të banesës së tij.
I riu rezulton gjithashtu me precedent të mëparshëm penal për plagosje me thikë dhe armëmbajtje pa leje.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht dinamikën e ngjarjes, konfliktin mes dy të rinjve dhe motivin që çoi në vrasjen e 20-vjeçarit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






