Transmetuar më 10-08-2026, 19:48

KORÇË – Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e Joan Zykos në Korçë, ngjarje për të cilën është arrestuar Kristjan Sterjo. Në dëshminë e tij përpara hetuesve, Sterjo ka rrëfyer versionin e tij për dinamikën e konfliktit, duke deklaruar se përplasja me Zykon kishte nisur rreth dy javë para ngjarjes.

Sipas dëshmisë, konflikti i parë mes tyre kishte qenë verbal dhe kishte nisur pasi, sipas Sterjos, Joan Zyko kishte ngacmuar një mikeshë të tij. Ai pretendon se i kishte kërkuar Zykos të mos e ngacmonte dhe se gjatë debatit e kishte goditur me pëllëmbë.

Sterjo ka deklaruar se ditën e ngjarjes ndodhej në trotuarin përballë lokaleve pranë kinemasë, kur ka parë një automjet Mercedes-Benz C-Class, me ngjyrë të zezë, të cilin, sipas tij, e përdorte ose e kishte në pronësi Joan Zyko.

Sipas versionit të tij, ai i ka folur Zykos dhe ky i fundit ka ndaluar automjetin. Sterjo pretendon se iu afrua automjetit me qëllim për të sqaruar konfliktin e mëparshëm, por situata është përshkallëzuar.

Në dëshminë e tij, Sterjo thotë se Zyko ka nxjerrë një thikë dhe është përpjekur ta godasë. Më pas, sipas tij, Zyko ka zbritur nga automjeti dhe është afruar duke tentuar ta godiste sërish me thikë. Sterjo pretendon se e ka goditur me shkelm për të shmangur goditjen.

Ai ka deklaruar gjithashtu se në automjet ndodhej edhe një person tjetër, i cili, sipas tij, e ka mbajtur në momentin kur Zyko po tentonte ta godiste.

“Kur ka kaluar me makinë, i fola dhe ai ndaloi. Qëllimi ka qenë të sqaronim konfliktin e mëparshëm me të. Menjëherë pasi automjeti ka ndaluar, i jam afruar te xhami i makinës. Në këtë moment, Johan Zuko ka nxjerrë një thikë dhe ka tentuar të më godasë”, ka deklaruar Sterjo.

Sipas tij, pas ndërhyrjes së disa personave që ndodheshin në vendngjarje, palët janë ndarë. Zyko dhe personi tjetër janë larguar me automjet, ndërsa Sterjo thotë se është larguar me vrap drejt banesës së tij.

Marrja e armës

Në vijim të dëshmisë, Sterjo ka deklaruar se, në gjendje të acaruar, është kthyer në banesë dhe ka marrë një armë zjarri, të cilën thotë se e kishte gjetur më herët dhe e mbante të fshehur.

“E mora nga vendi ku e mbaja fshehur, e futa në një thes të bardhë dhe u nisa në këmbë në drejtim të lagjes ku banonte Johan”, ka rrëfyer ai.

Sipas dëshmisë, pasi ka mbërritur në zonën ku banonte Zyko, Sterjo e ka parë atë pranë një lokali, përballë një marketi. Ai pretendon se është afruar dhe ka nxjerrë armën.

Në këtë moment, sipas versionit të tij, Zyko e ka sharë dhe më pas është larguar me vrap. Sterjo ka deklaruar se e ka ndjekur deri në një pallat.

“Unë e ndoqa nga pas. Ai hyri në një pallat dhe unë shkova pas tij. Në atë vend e kam qëlluar me armë, duke synuar këmbët”, ka deklaruar Sterjo.

Ai pretendon se pas të shtënës nuk ka konstatuar nëse Zyko ishte plagosur dhe është larguar nga vendi.

Më tej, sipas dëshmisë, Sterjo ka shkuar në zonën e Fushës së Drurëve, ku ka fshehur armën në disa shkurre. Më pas është kthyer në banesë, është ndërruar dhe ka futur rrobat në lavatriçe.

Në fund të dëshmisë, ai ka deklaruar se më pas është larguar sërish nga banesa dhe është futur në një shtëpi të pabanuar pranë banesës së tij.

Dëshmia e Sterjos përbën versionin e tij mbi ngjarjen dhe mbetet për t’u verifikuar nga hetimet. Autoritetet po vijojnë punën për dokumentimin e plotë të dinamikës së vrasjes, rrethanave të konfliktit dhe rolit të personave të tjerë të përmendur në dëshmi.

Deklarata: 

“Kam qenë i vetëm në trotuarin përpara lokaleve që ndodhen përballë kinemasë. Në rrugën përpara vendit ku ndodhej ai ka kaluar një automjet Mercedes-Benz, C-Class, me ngjyrë të zezë. Targën e automjetit nuk e mbaj mend, por e di që automjeti përdoret ose është në pronësi të Johan Zuko. Me Johanin, rreth dy javë më parë, kam pasur një konflikt verbal. Shkak i konfliktit ka qenë fakti se Johan Zuko kishte ngacmuar një mikeshë timen. Unë i kam kërkuar që të mos e ngacmojë, dhe gjatë konfliktit e kam goditur me pëllëmbë.

Kur ka kaluar me makinë, i fola dhe ai ndaloi. Qëllimi ka qenë të sqaronim konfliktin e mëparshëm me të. Menjëherë pasi automjeti ka ndaluar, i jam afruar te xhami i makinës. Në këtë moment, Johan Zuko ka nxjerrë një thikë dhe ka tentuar të më godasë.

Pas kësaj, Johani ka zbritur nga automjeti dhe është afruar drejt meje duke u përpjekur sërish të më godasë me thikë. Për të shmangur goditjen, e kam goditur me shkelm. Në automjetin e tij ndodhej edhe një person tjetër, një djalë.

Pasi ka zbritur nga automjeti, ky person më mbajti dhe në atë momenti Johani ka tentuar të më godasë dhe më ka sharë me fjalë të pista.

Në këtë moment, disa persona që ndodheshin aty kanë ndërhyrë dhe na kanë ndarë. Pas ndarjes, Johani dhe personi tjetër janë larguar sërish me automjet, ndërsa unë u largova me vrap në drejtim të banesës time. Më tej në gjendjen e gjaknxehtësisë, mora armën e zjarrit nga shtëpia, një pushkë, e gjeta më parë këtë armë dhe e mbaja të fshehur në banesë.

E mora nga vendi ku e mbaja fshehur, e futa në një thes të bardhë dhe u nisa në këmbë në drejtim të lagjes ku banonte Johan.

Kur mbërrita te pashë Joanin i cili ndodhej anash një lokali që gjendet përballë marketit. Pasi e pashë iu afrova dhe nxora armën. Në momentin kur po afrohesha drejt tij, ai më ka sharë përsëri dhe më pas është larguar me vrap.

Unë e ndoqa nga pas. Ai hyri në një pallat dhe unë shkova pas tij, në atë vend e kam qëlluar më armë, duke synuar këmbët.

Pas të shtënës, nuk pashë a u plagos apo çfarë i kishte ndodhur, por u largova.

Kur mbërrita te Fusha e Drurëve, e fsheha armën duke e vendosur në disa shkurre dhe më pas shkova në banesë, u ndërrova dhe futa rrobat në lavatriçe.

Më pas dola dhe u futa në një shtëpi të pabanuar, afër shtëpisë time”, ka deklaruar ai.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit