Transmetuar më 10-08-2026, 19:07

Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra katër punonjës të Komisariatit të Policisë Himarë, pjesë e zinxhirit komandues që ka qenë në detyrë gjatë periudhës kur në Qeparo është ndërtuar një objekt pesëkatësh pa leje. Ndaj tyre ka nisur edhe procedimi disiplinor.

Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, ka vendosur pezullimin e menjëhershëm nga detyra të katër punonjësve të Policisë, në kuadër të masave për evidentimin dhe goditjen e ndërtimeve pa leje dhe vënien përpara përgjegjësisë të personave përgjegjës.

Punonjësit e pezulluar janë:

Nënkomisar Ferit Merkaj, ish-shef i Komisariatit të Policisë Himarë, aktualisht shef i Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë; Komisar Emiljano Prenga, ish-shef i Seksionit dhe specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Himarë, aktualisht shef i Seksionit dhe specialist në të njëjtin sektor në Komisariatin e Policisë Divjakë; Nënkomisar Klodjan Petani, ish-specialist për Hetimin e Krimit në Zonën Policore nr. 1, aktualisht specialist për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë; Inspektor Redin Çaushaj, me detyrë ndihmës/specialist SPZ në Zonën Policore nr. 1 të Komisariatit të Policisë Himarë, ku është konstatuar ndërtimi pa leje.

Sipas Policisë së Shtetit, masa e pezullimit dhe nisja e hetimit disiplinor lidhen me konstatimin e një ndërtimi pa leje në vendin e quajtur “Sugë”, në Qeparo, Himarë.

Në këtë zonë, shtetasi L. B., banues në Laç, dyshohet se ka ndërtuar një objekt me një kat nëntokë dhe katër kate mbi tokë, pa lejen e organeve kompetente.

Për këtë rast, shtetasi L. B. është arrestuar nga Komisariati i Policisë Himarë, ndërsa janë shpallur në kërkim tre punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) Himarë: kryeinspektori dhe dy inspektorë. Sipas Policisë, ndaj tyre rëndon dyshimi për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Nga verifikimet paraprake të kryera nga strukturat e Policisë rezulton se ndërtimi i objektit kishte nisur në dhjetor të vitit 2025. Sipas të njëjtave verifikime, nga ana e Komisariatit të Policisë Himarë nuk janë marrë masa për parandalimin e ndërtimit dhe për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personit që e kryente atë.

Policia e Shtetit deklaron se do të vijojë me masa disiplinore dhe administrative ndaj çdo punonjësi që shkel ligjin, nuk përmbush detyrimet funksionale, abuzon me detyrën apo cenon besimin e qytetarëve.

Hetimi disiplinor ndaj katër punonjësve të pezulluar do të përcaktojë përgjegjësitë e tyre në lidhje me rastin.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit