

BOGOTÁ – Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.4 ka goditur Kolumbinë, duke shkaktuar të paktën 21 viktima dhe dhjetëra të plagosur.
Situata paraqitet veçanërisht e rëndë në qytetin e Cali-t, ku ekipet e kërkim-shpëtimit po punojnë për nxjerrjen e disa fëmijëve që dyshohet se kanë mbetur të bllokuar nën rrënojat e një spitali universitar. Një pjesë e godinës është shembur si pasojë e lëkundjeve.
Sipas autoriteteve, 18 persona kanë humbur jetën në Pereira, dy në Manizales dhe një në Quibdo. Raportohet gjithashtu për persona të zhdukur, ndërsa dhjetëra të tjerë dyshohet se ndodhen nën rrënojat e më shumë se 20 ndërtesave të shembura në Cali.
Lëkundjet janë ndjerë në pjesën më të madhe të territorit të Kolumbisë, si dhe në vendet fqinje, përfshirë Ekuadorin dhe Panamanë.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS), tërmeti kishte magnitudë 7.4 dhe epiqendra e tij ndodhej në perëndim të Kolumbisë, në një thellësi prej rreth 100 kilometrash. Ndërkohë, Shërbimi Gjeologjik i Kolumbisë e ka vlerësuar lëkundjen me magnitudë 6.6.
Tërmeti ka shkaktuar dëme edhe në infrastrukturën aeroportuale. Autoritetet kanë pezulluar përkohësisht fluturimet në aeroportet e Pereira, Manizales, Quibdo, Armenia, Cartago dhe Buenaventura, ndërsa po kryhen kontrolle për të vlerësuar dëmet.
Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë në zonat më të prekura. Autoritetet kanë paralajmëruar se bilanci i viktimave mund të ndryshojë, ndërsa ekipet po punojnë për gjetjen e personave të bllokuar nën rrënoja.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






