Transmetuar më 10-08-2026, 17:39

Deklarata e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, se Ukraina nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj për mosnjohjen e Kosovës, ka shkaktuar reagime nga figura të politikës shqiptare.

Mes tyre është edhe ish-kryeministri Pandeli Majko, i cili ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka publikuar një fotografi me flamurin shqiptar nga Kuvendi i Ukrainës.

Majko shprehet se, pavarësisht qëndrimeve të shprehura së fundmi në planin diplomatik, ai beson se shqiptarët dhe ukrainasit kanë një marrëdhënie miqësie dhe aleance që shkon përtej protokolleve zyrtare.

“Pavarësisht deklarimit ‘konservativ’ të Presidentit Zelenski në Beograd, në vizitën e tij të fundit, jam i bindur se ukrainasit i kanë parë dhe i shohin shqiptarët si aleatët e tyre! Miqësia dhe aleanca e shqiptarëve me ukrainasit nuk përcaktohet nga ‘protokollet e diplomacisë’!”, shkruan Majko.

Ai thekson gjithashtu lidhjet historike të diasporës shqiptare me Ukrainën dhe përmend shqiptarët që kanë marrë pjesë në luftën në krah të ushtrisë ukrainase.

Sipas Majkos, fotografia është realizuar në parlamentin ukrainas gjatë përvjetorit të agresionit rus dhe ka pasur si qëllim të tregojë pritjen që iu bë flamurit shqiptar nga të pranishmit.

Në pjesën e fundit të reagimit, Majko tregon se ka komunikuar me miq ukrainas pas deklaratave të fundit dhe përcjell një shprehje të tyre, të cilën ai e veçon si më të pëlqyerën.

“Jemi miq lufte, jo prostituta paqeje”, shkruan Majko, duke sqaruar se kjo ishte shprehja që, sipas tij, i është përcjellë nga miqtë e tij ukrainas.

Majko e mbyll reagimin duke nënvizuar dallimin që, sipas tij, ekziston mes miqësive të krijuara në kohë lufte dhe marrëdhënieve diplomatike të përcaktuara nga interesat shtetërore.

Reagimi i Pandeli Majkos:

Kjo është një foto në parlamentin e Ukrainës në përvjetorin e agresionit rus!

Ajo është një foto e realizuar nga salla, për të treguar kënaqësinë me të cilën u prit flamuri shqiptar nga të pranishmit!

Nuk kishte shumë delegacione të huaja pasi kishin qarkulluar lajme se mund të goditej, në këtë ditë, godina e parlamentit në Kiev!

Pavarësisht deklarimit “konservativ” të Presidentit Zelenski në Beograd, në vizitën e tij të fundit, jam i bindur se ukrainasit i kanë parë dhe i shohin shqiptarët si aleatët e tyre!

Miqësia dhe aleanca e shqiptarëve me ukrainasit nuk përcaktohet nga “protokollet e diplomacisë”!

Kjo miqësi ndërlidhet me diasporën e vjetër shqiptare e cila ka pasur dëshmorët e vet për mbrojtjen e Ukrainës! Ajo vazhdon, sot, me vullnetarët shqiptarë me uniformë në krah të ushtrisë ukrainase!

Lufta, për shqiptarët, i ndan miqtë nga armiqtë!

Diplomacia është quajtur me të drejtë arti i “gënjeshtrës” për arsye shtetërore!

Miqtë i mi ukrainas më kanë komunikuar të shqetësuar për ngjarjen e fundit!

“Jemi miq lufte, jo prostituta paqeje” ishte shprehja që pëlqeva më shumë, në anglishten me aksentin ukrainas!…Sigurisht!

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit