

Euro vijon të humbasë terren ndaj lekut në tregun vendas. Monedha europiane është këmbyer sot me 93.07 lekë, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, duke prekur nivelin më të ulët historik që prej nisjes së përdorimit të euros si monedhë fizike.
Që nga fillimi i vitit 2026, kursi i euros ndaj lekut ka rënë me rreth 3.8%. Krahasuar me nivelin më të lartë historik prej 140.4 lekësh, të regjistruar në shkurt të vitit 2011, euro sot këmbehet rreth 47.5 lekë më pak, ose afërsisht 34% më poshtë.
Sipas agjentëve të këmbimit valutor, një nga faktorët që po ndikon në dobësimin e euros janë prurjet valutore të lidhura me sezonin turistik, i cili në këtë periudhë arrin pikun.
Megjithatë, rënia sezonale e euros vjen në vijim të një tendence të qëndrueshme dobësimi të monedhës europiane, e cila është bërë veçanërisht e dukshme që prej fillimit të vitit.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, deficiti i llogarisë korrente zbriti në 228 milionë euro, me një rënie prej 28% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në të njëjtën kohë, investimet e huaja direkte arritën në 404 milionë euro, duke shënuar një rekord të ri për këtë periudhë dhe një rritje prej 11.6% krahasuar me një vit më parë.
Përveç flukseve të regjistruara zyrtarisht, në publik vijon të jetë i pranishëm edhe perceptimi se kursi i këmbimit ndikohet nga prurje valutore që lidhen me aktivitetin informal dhe ekonominë kriminale.
Rastet e bëra publike nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kanë nxjerrë në pah raste të investimit të shumave të konsiderueshme të parave me origjinë të dyshimtë në pasuri të paluajtshme.
Dobësimi i euros ndaj lekut është një tendencë që vijon prej vitesh. Sipas të dhënave të referuara, deri në vitin 2024 zhvlerësimi i euros lidhej më së shumti me flukset informale të lidhura me rritjen e sektorit të ndërtimit, ndërsa pas vitit 2024, në këtë dinamikë janë shtuar edhe prurjet valutore nga turizmi.
Një tjetër faktor që mund të ndikojë në forcimin e lekut është politika fiskale e ndjekur nga qeveria shqiptare, e cila ka realizuar suficite të konsiderueshme fiskale gjatë pjesës më të madhe të vitit. Kjo politikë ndikon në ofertën e monedhës vendase në treg.
Për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, suficiti buxhetor arriti në 52.8 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 60% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ndërkohë, Banka e Shqipërisë vijon ndërhyrjet në tregun valutor për blerjen e euros. Megjithatë, ndërhyrjet duket se po e zbusin vetëm pjesërisht rënien e monedhës europiane, pa mundur ta ndalojnë plotësisht tendencën.
Sipas burimeve nga tregu, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë dy herë gjatë kësaj jave për të blerë euro.
Nga fillimi i vitit 2024 deri në fund të tremujorit të parë të vitit 2026, Banka e Shqipërisë ka tërhequr nga tregu rreth 2.2 miliardë euro. Vetëm gjatë tremujorit të parë të këtij viti, blerjet arritën në 140 milionë euro, niveli më i lartë i regjistruar për këtë periudhë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






