

TIRANË – Dhjetë vatra zjarri janë raportuar në të gjithë vendin deri në orën 14:00, ndërsa pesë prej tyre vijojnë të jenë aktive. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, asnjë prej vatrave nuk paraqet aktualisht rrezik të drejtpërdrejtë për zonat e banuara.
Në operacionet për shuarjen dhe monitorimin e zjarreve janë angazhuar 21 automjete zjarrfikëse dhe 153 forca operacionale. Në mbështetje të tyre janë vënë 125 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterë të Forcës Ajrore.
Në Dajt, situata vijon të mbahet nën monitorim. Në Cikallesh, në bashkinë Kavajë, zjarri është shuar plotësisht, ndërsa vijon monitorimi i zonës. Në Priskë e Madhe po vijon ndërhyrja me katër automjete zjarrfikëse, 15 efektivë të MZSH-së dhe një helikopter të Forcës Ajrore. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Mallakastër, zjarret në zonat Riban–Ngraçan–Panahor–Çyçen janë shuar plotësisht dhe po monitorohen. Ndërkohë, zjarri në Drenie, në bashkinë Patos, është vënë nën kontroll dhe vijon monitorimi.
Në Krujë, vatra në Abaze mbetet aktive, por nuk paraqet rrezik për zonat e banuara. Situata paraqitet më intensive në Krastë, ku zjarri është përhapur në një masiv pyjor. Në terren po operojnë forcat vendore, 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter i Forcës Ajrore. Edhe në këtë zonë, autoritetet bëjnë me dije se nuk ka rrezik për banesat.
Në Vilëz, bashkia Kurbin, ndërhyrja e forcave vendore dhe 35 efektivëve të Forcave të Armatosura ka bërë të mundur shuarjen e plotë të zjarrit rreth orës 13:00.
Aktive vijojnë të jenë edhe vatrat në malin e Nemëçkës, në bashkinë Përmet, si dhe në zonën Goraj–Budishë, në bashkinë Malësi e Madhe. Të dyja vatrat ndodhen në terrene të vështira dhe në lartësi të mëdha, por sipas autoriteteve nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.
Ministria e Mbrojtjes bën me dije se ndërhyrja vijon në të gjitha vatrat aktive, ndërsa Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile po koordinojnë dhe monitorojnë situatën në të gjithë territorin.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






