Transmetuar më 10-08-2026, 14:49

FIER – Një thikë artizanale është zbuluar në burgun e Fierit, ndërsa dyshohet se mund të jetë përdorur ose parashikuar për një sulm ndaj të dënuarit Denis Bajri, i njohur edhe si Brajovic.

Bajri ka deklaruar para hetuesve se ndaj tij është tentuar një sulm brenda qelisë dhe ka pretenduar se pas ngjarjes qëndron Ibrahim Liçi. Sipas dëshmisë së tij, Aldo Gjini ka hyrë në qelinë e tij së bashku me Jurgen Zotajn, ndërsa më pas, përmes një telefoni, ka komunikuar me Liçin.

Bajri ka deklaruar se gjatë telefonatës është kërcënuar me jetë dhe se më pas Zotaj ka tentuar ta sulmojë me thikë.

“Liçi më tha në telefon: ‘Jeta jote kaq e pati’. Në ato momente, Zotaj tentoi të më sulmonte me thikë”, ka deklaruar Bajri para hetuesve, sipas dëshmisë së bërë publike.

Gjatë përleshjes, Bajri dhe Zotaj kanë mbetur të plagosur dhe kanë marrë ndihmë mjekësore.

Pas incidentit, tetë punonjës të policisë së burgut janë përjashtuar, ndërsa rasti është referuar në Prokurori, nën dyshimet për shpërdorim detyre.

Hetimet po përqendrohen edhe te mënyra se si të dënuarit kanë mundur të lëviznin nga një godinë në tjetrën, si dhe te futja e një telefoni celular në qeli, pavarësisht se përdorimi i tij nga të burgosurit është i ndaluar.

Në vijim të masave disiplinore, dy të burgosur janë izoluar për një periudhë tre mujore dhe janë transferuar në institucione të tjera të vuajtjes së dënimit.

Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e incidentit, mënyrën e sigurimit të thikës dhe përgjegjësitë e mundshme të personave të përfshirë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit