Transmetuar më 10-08-2026, 12:52

TIRANË — Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili e ka cilësuar pavarësinë e Kosovës si të njëanshme gjatë një vizite në Beograd. Berisha e ka quajtur këtë qëndrim të papranueshëm, duke theksuar se ai bie ndesh me vendimet e NATO-s, planin e Ahtisarit dhe opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ndërsa ka shprehur keqardhje duke kujtuar mbështetjen e pakushtëzuar që shqiptarët i kanë dhënë Ukrainës përballë agresionit rus.

DEKLARATA E PLOTË E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA:

Anisa Kadesha, RTSH: Zoti Berisha, pavarësisht shumë takimeve që kryeministri shqiptar ka zhvilluar me presidentin Zelenski, ky i fundit ka deklaruar se nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. A keni një koment në lidhje me qëndrimin e tij dhe mbi performancën e diplomacisë shqiptare për njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës?

Sali Berisha: Sot kemi një deklaratë në të cilën ne shprehim keqardhje për deklaratën e presidentit Zelenski në Beograd për pavarësinë e Kosovës, të cilin ai u shpreh se është e njëanshme. Kjo deklaratë e presidentit Zelenski vjen në kundërshtim të hapur me vendimet e Aleancës së Atlantikut të Veriut, me planin e Ahtisarit të miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Vjen në kundërshtim të hapur me vendimet e vendeve kryesore anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Vjen në kundërshtim të hapur me të drejtën dhe ligjin ndërkombëtar, të interpretuara ato me kërkesë të Beogradit nga Gjykata Ndërkombëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila është shprehur për legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës. Por nga ana tjetër, deklarata është dhe në një aspekt tjetër jashtë çdo konteksti historik.

Shqiptarët janë një komb mik me kombin ukrainas dhe në Shqipëri dhe në Kosovë, ata janë solidarizuar plotësisht me luftën heroike të popullit të Ukrainës nën udhëheqjen e presidentit Zelensky kundër agresionit barbar rus.

Kurse Serbia gjer para pak kohëve ishte Kali i Trojës i Kremlinit në Ballkan. Është Rusia e vogël, e cila në mënyrë të pamohueshme shërbeu dhe vazhdon në një farë mënyre të shërbejë si prapavijë e fuqishme e Rusisë në Ballkan.

Edhe në këtë kuadër deklarata e presidentit Zelenski është jashtë çdo konteksti, dhe mendoj unë, interesi për vendin e tij. Ndaj dhe Partia Demokratike e cilëson atë një deklaratë krejtësisht pa vend, krejtësisht të papranueshme dhe do të thosha një deklaratë fatkeqe në një vend që s’duhej bërë kurrë dhe për pavarësinë e Kosovës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit