Transmetuar më 10-08-2026, 10:26

BALLKAN PERËNDIMOR — Edhe pse migrimi nga rajoni nuk është një fenomen i ri, motivet dhe profilet e atyre që zgjedhin të largohen kanë pësuar ndryshime rrënjësore gjatë tre dekadave të fundit. Sipas të dhënave nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), çdo vit rreth 133,500 persona largohen nga vendet e Ballkanit, duke shkaktuar një krizë të vazhdueshme demografike.

Në periudhën midis viteve 2019 dhe 2023, më shumë se 660,000 qytetarë u larguan vetëm nga Serbia, Kroacia, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina. Kroacia kryeson listën me rreth 47,000 largime në vit, e ndjekur nga Serbia me rreth 43,000 dhe Bosnja e Hercegovina me afërsisht 40,000 banorë. Në vitin 2023, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal paralajmëroi se rajoni rrezikon të humbasë një e katërta deri në gjysmën e popullsisë së re të kualifikuar në dekadat e ardhshme.

Nga faktori ekonomik tek pakënaqësia me sistemin

Ndërsa dikur shtytësi kryesor i emigrimit ishte varfëria dhe mungesa e të ardhurave, demografi Vladimir Nikitoviq nga Instituti i Shkencave Sociale në Beograd shpjegon se sot faktorët kanë ndryshuar. Për profesionistët me arsim të lartë, cilësia e jetës, funksionimi i institucioneve dhe pakënaqësia me gjendjen e shoqërisë peshojnë më shumë se paga. Megjithatë, për punonjësit manualë, ku diferencat e të ardhurave jashtë vendit janë disa herë më të larta, faktori ekonomik mbetet vendimtar.

Qytetarë të rinj nga rajoni theksojnë se vendimi i tyre nuk lidhet vetëm me paratë, por me mungesën e një sistemi funksional – duke përfshirë shërbimet publike, transportin, arsimin dhe mungesën e sigurisë për të ardhmen.

A mjaftojnë stimujt financiarë për t’i kthyer?

Qeveritë në rajon kanë nisur të zbatojnë politika për të joshur diasporën e re. Serbia ofron lehtësime tatimore pesëvjeçare dhe mbështetje administrative, ndërsa Kroacia ka ndarë fonde që shkojnë deri në 27,000 euro për të vetëpunësuarve dhe përjashtime nga tatimi mbi të ardhurat.

Megjithatë, ekspertët si Nenad Jovetiq nga Instituti për Zhvillim dhe Inovacion (IRI) vlerësojnë se masat financiare janë dytësore. Sipas tyre, ajo që do t’i rikthente vërtet të rinjtë është ndërtimi i një sistemi të besueshëm arsimor dhe shëndetësor, si dhe rivendosja e besimit te institucionet dhe drejtësia.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit