

FIER — Një ngjarje e rëndë ka tronditur sistemin penitenciar, ku i paraburgosuri Denis Bajri (alias Brajovic) ka dëshmuar para hetuesve se kundërshtari i tij i përbetuar, i shumëkërkuari Ibrahim Lici, ka urdhëruar një atentat me thikë ndaj tij brenda qelisë në burgun e sigurisë së lartë të Fierit.
Sipas dëshmisë së siguruar nga gazetarja Klodiana Lala, ngjarja ka ndodhur kur i dënuari Aldo Gjini është paraqitur në qelinë e Bajrit i shoqëruar nga Jurgen Zotaj. Zoto i ka dhënë një aparat celular për të komunikuar, ku në linjë ka qenë Lici.
"Aldo Gjini kërkoi të më takonte. Ai erdhi në qelinë time bashkë me Jurgen Zoton. Ky i fundit më dha një telefon. Në linjë ishte Ibrahim Lici. Ai më tha: ‘Jeta jote kaq e pat!’. Në atë moment Zoto tentoi të më sulmonte me thikë," ka deklaruar Denis Bajri para grupit hetues.
Si pasojë e përleshjes fizike që pasoi, si Bajri ashtu edhe Zotaj mbetën të plagosur dhe u dërguan për të marrë ndihmë mjekësore.
Pas incidentit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka ndërmarrë masa të rrepta disiplinore. Komisioni i Disiplinës ka pezulluar dhe referuar në prokurori tetë efektivë policie për shpërdorim detyre, për shkak se kanë lejuar lëvizjet e parregullta të të burgosurve mes godinave dhe futjen e telefonave celularë, sende të ndaluara rreptësisht në ambientet e paraburgimit.
Ndërkohë, autoritetet kanë vendosur izolimin 3-mujor për Aldo Gjinin dhe Jurgen Zotaj, të cilët janë transferuar për arsye sigurie respektivisht në burgun e Drenovës dhe atë të Burrelit, ndërsa Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) vijon hetimet e thelluara mbi ngjarjen.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






