

SAINT-TROPEZ — Autoritetet franceze kanë arrestuar katër shtetas spanjollë si të dyshuar për vjedhjen e një ore luksoze me vlerë rreth 300 mijë dollarë (afërsisht 261 mijë euro) nga një turist brazilian, në kuadër të një rritjeje të rasteve të ngjashme përgjatë Rivierës Franceze.
Ngjarja u regjistrua të premten në destinacionin e njohur veror të Saint-Tropez. Sipas xhandarmërisë së prefekturës Var, pas denoncimit të viktimës, policia u vënë në ndjekje të autorëve të dyshuar, të cilët u kapën pak më vonë në qytetin e afërt të Cogolin. Ora e vjedhur u sekuestrua gjatë operacionit dhe iu rikthye pronarit të ligjshëm.
Incidenti vjen në një kohë kur autoritetet në Cote d’Azur po përballen me një valë të shtuar të krimeve të organizuara që synojnë vizitorët me të ardhura të larta. Sipas të dhënave zyrtare policore, afërsisht 15 orë dore me vlerë të lartë janë raportuar të vjedhura që nga fillimi i kësaj vere.
Deri më tani, tetë persona janë vënë në pranga në lidhje me katër nga rastet e regjistruara. Përballë këtij fenomeni, Ministria e Brendshme ka përforcuar masat e sigurisë në zonë, duke vendosur detashmente të posaçme të Zyrës Qendrore për Luftën Kundër Delikuencës (OCLDI) në mbështetje të xhandarmërisë vendase.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






