

Në Letnicë është përuruar busti dhe pllaka përkujtimore kushtuar Dom Mikel Tarabulluzit, i konsideruar mësuesi i parë shqiptar i dokumentuar në Kosovë. Projekti synon të ruajë dhe të përcjellë ndër breza kontributin e tij në arsim, dije dhe jetën kombëtare.
Më 8 gusht 2026, në Letnicë, është përfunduar projekti kulturor “Dom Mikel Tarabulluzi – Dritë e Dijes dhe Frymë e Trashëgimisë Kombëtare”, një nismë për përkujtimin e figurës dhe veprës së Dom Mikel Tarabulluzit.
Në kuadër të projektit janë vendosur një bust dhe një pllakë përkujtimore, ndërsa historiku i jetës dhe veprimtarisë së tij është paraqitur në gjuhën shqipe dhe angleze. Qëllimi është ruajtja e kujtesës për kontributin e Dom Mikelit në shërbim të arsimit, dijes, kombit dhe komunitetit.
Sipas njoftimit të publikuar nga Letnica, ky projekt përbën një nderim jo vetëm për figurën e Dom Mikelit, por edhe për arsimin, dijen dhe kujtesën kombëtare.
Projekti është realizuar me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, në bashkëpunim me Këshillin e Fshatit Letnicë.
Organizatorët kanë bërë të ditur se puna për dokumentimin dhe ndriçimin e mëtejshëm të figurës së Dom Mikel Tarabulluzit do të vijojë. Në të ardhmen, synohet që trashëgimia e tij të trajtohet edhe në aspektin shkencor, përmes organizimit të një konference dhe mundësisë së botimit të një vepre të posaçme kushtuar jetës dhe kontributit të tij.
“Urime Letnicë, urime Kosovë! Një pjesë e historisë kombëtare tashmë ka marrë vendin që meriton. Nga Letnica, aty ku dija mori udhë”, thuhet në mesazhin e publikuar në faqen e Letnicës.
Vendosja e bustit dhe pllakës përkujtimore synon të shërbejë si një pikë referimi për kujtesën historike dhe kulturore, duke rikthyer në vëmendje një figurë të rëndësishme të historisë së arsimit shqip në Kosovë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






