Transmetuar më 10-08-2026, 08:24

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), dega në Çair të Maqedonisë së Veriut, ka dënuar ashpër përdhosjen e muraleve me figurën e Adem Jasharit, Komandant Telit, emblemën e UÇK-së dhe simbole të tjera të luftës së shqiptarëve.

Në reagimin e BDI-së thuhet se akti bëhet edhe më i rëndë për shkak të momentit kur ka ndodhur, pikërisht në përvjetorin e masakrës ku ra Komandant Teli.

“Nuk mund të mos shqetësohemi për atmosferën që po krijohet në vend. Një pushtet i nënshtruar politikisht ka krijuar terren ku elementet radikale nacionaliste ndihen gjithnjë e më të inkurajuara të provokojnë shqiptarët, të prekin gjuhën e tyre, simbolet dhe tani edhe figurat e dëshmorëve”, thuhet në reagim.

Më tej, BDI deklaron: “Dje u hoq gjuha shqipe nga tabelat shtetërore në Tabanoc. Sot përdhosen Adem Jashari, Komandant Teli dhe emblema e UÇK-së në Çair”.

Partia i kërkon Ministrisë së Punëve të Brendshme të identifikojë urgjentisht autorët, të sqarojë motivet e këtij veprimi dhe t’i nxjerrë ata para përgjegjësisë.

“Kërkojmë nga Ministria e Punëve të Brendshme që urgjentisht të identifikojë autorët, të sqarojë motivet dhe t’i nxjerrë para përgjegjësisë. Presim reagim institucional, jo heshtje”, thuhet në deklaratë.

Në fund të reagimit, BDI thekson se Çairi ka respektuar dhe do të vazhdojë të respektojë çdo komunitet dhe çdo qytetar.

“Të njëjtin respekt e kërkojmë për historinë, gjuhën, simbolet dhe dëshmorët tanë”, përfundon reagimi i BDI-së.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit