

KIEV — Deputeti i Parlamentit të Ukrainës, Oleksiy Goncharenko, ka kritikuar publikisht presidentin Volodymyr Zelensky pas deklaratës së tij në Beograd se Ukraina nuk do të ndryshojë qëndrimin për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.
Goncharenko, një prej mbështetësve të njohjes së Kosovës në parlamentin ukrainas dhe nismëtar i një projektligji për këtë çështje, e ka cilësuar qëndrimin e Zelenskyt si një “gabim diplomatik”.
Në një reagim në rrjetin social X, deputeti tha se mbështetja për pavarësinë e Kosovës ekziston edhe te qytetarët ukrainas dhe se ai do të vijojë përpjekjet politike për ndryshimin e qëndrimit zyrtar të Kievit.
“Ky është një gabim diplomatik. Ukrainasit mbështesin pavarësinë e Kosovës dhe ne besojmë se Ukraina DUHET ta njohë shtetin. Unë do të vazhdoj të luftoj për pavarësinë e Kosovës dhe përfundimisht Ukraina do ta njohë atë”, shkroi Goncharenko.
Në reagimin e tij, deputeti publikoi gjithashtu një fotografi nga Prishtina, ku shfaqet heqja e sloganit “Free Ukraine” nga zona e Hotel “Grand”, një veprim simbolik që pasoi deklaratat e Zelenskyt në Beograd.
Deklarata e Goncharenkos vjen në një moment kur marrëdhëniet politike mes Kosovës dhe Ukrainës janë rikthyer në vëmendje, pas vizitës së presidentit ukrainas në Serbi dhe rikonfirmimit të qëndrimit të Kievit për statusin e Kosovës.
Ndërkohë, në Tiranë, gjatë protestës së 71-të, protestuesit kanë hequr gjithashtu mbishkrimin “Rruga Ukraina e Lirë” dhe e kanë zëvendësuar me “Rruga Dardania e Lirë”, ndërsa gjatë marshimit para ambasadave të Serbisë dhe Ukrainës janë dëgjuar thirrje në mbështetje të UÇK-së.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






