Transmetuar më 09-08-2026, 18:28

TIRANË — Të paktën 227 forca operacionale, 16 mjete zjarrfikëse dhe mbështetëse, si dhe tre helikopterë e një avion “Air Tractor” janë angazhuar për përballimin e situatës së zjarreve në disa zona të vendit, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.

Në zonën e Dajtit, pranë fabrikës së ujit në Selitë, disa vatra zjarri janë rishfaqur gjatë mesditës. Ekipet në terren po vijojnë ndërhyrjen dhe monitorimin, ndërsa sipas autoriteteve nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Cikallesh të Kavajës, zjarri ka rënë ndjeshëm në intensitet dhe po shkon drejt shuarjes, pas ndërhyrjes së strukturave zjarrfikëse dhe mbështetjes nga ajri nga Forcat e Armatosura.

Në Priskë të Madhe vijon puna për izolimin dhe shuarjen e disa vatrave të vogla.

Në qarkun e Fierit, në zonën Panahor-Ndrenie-Vlosht në Mallakastër, zjarri është nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik për zonat e banuara. E njëjta situatë raportohet edhe në vatrën Koilac-Greshicë, e cila është vënë nën kontroll.

Në Abazaj të Krujës, situata është stabilizuar dhe në terren kanë mbetur disa vatra të vogla, kryesisht në zona me terren të vështirë. Në operacion janë angazhuar strukturat e Emergjencave Civile, Bashkia Krujë, shërbimi zjarrfikës, shërbimi pyjor dhe Prefektura e Qarkut Durrës.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për zonat e banuara në këtë zonë.

Situata mbetet më problematike në Vilëz të Kurbinit, ku një vatër zjarri është riaktivizuar në një sipërfaqe pyjore. Terreni i vështirë dhe era kanë favorizuar përhapjen e flakëve dhe kanë rritur rrezikun për një kishë, varreza dhe disa banesa pranë zonës.

Rreth 50 forca nga shërbimet zjarrfikëse, Emergjencat Civile, Policia, strukturat vendore, shërbimi pyjor dhe vullnetarë janë angazhuar në operacion.

Ndërhyrja nga ajri me dy helikopterë ka ndihmuar në ndalimin e avancimit të flakëve dhe ka shmangur prekjen e kishës, varrezave dhe banesave përreth.

Vatra në Vilëz mbetet aktive, ndërsa ekipet në terren po vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen e saj.

Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës në të gjitha zonat e prekura dhe mbajnë në gatishmëri strukturat operacionale për ndërhyrje në rast të riaktivizimit ose përhapjes së vatrave.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit