

TIRANË, 9 gusht 2026 – Policia Rrugore e Tiranës ka intensifikuar kontrollet ndaj drejtuesve të motomjeteve, në kuadër të masave për parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në rrugë.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara në dy ditët e fundit, janë evidentuar 19 shtetas që drejtonin motomjete elektrike pa lejen përkatëse të drejtimit. Për këta persona ka nisur procedimi penal për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, ndërsa motomjetet janë sekuestruar.
Kontrollet janë përqendruar veçanërisht te shkeljet që lidhen me manovrat e rrezikshme, përdorimin e kaskës dhe qarkullimin në hapësira të dedikuara për këmbësorët apo biçikletat.
Në total, shërbimet e Policisë Rrugore kanë vendosur 530 masa administrative për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit.
Sipas Policisë, masat e vendosura përfshijnë:
371 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse; 76 masa për qarkullim në korsitë e dedikuara për biçikleta dhe në hapësirat për këmbësorët; 28 masa për kryerje manovrash të rrezikshme dhe mosrregullim të shpejtësisë në qendrat e banuara; 21 masa për shkaktim zhurmash përmes sistemit të shkarkimit të gazrave; 18 masa për motomjete pa shenja dalluese ose targa; 10 masa për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara; 6 masa për drejtim pa leje drejtimi përkatëse.
Policia Rrugore bën me dije se kontrollet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë, me fokus parandalimin e ngjarjeve rrugore dhe evidentimin e shkeljeve që cenojnë sigurinë e përdoruesve të rrugës.
Në apelimin e saj, Policia u kërkon drejtuesve të motomjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit, të pajisen me lejen përkatëse të drejtimit, të përdorin kaskën mbrojtëse dhe të shmangin manovrat e rrezikshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






