Transmetuar më 09-08-2026, 11:47

KORÇË, 9 gusht 2026 – Janë publikuar pamjet e arrestimit të 20-vjeçarit Kristjan Sterjo, i dyshuar për vrasjen e 21-vjeçarit Joan Zuko në Korçë.

Sterjo u arrestua gjatë natës nga shërbimet e Policisë së Korçës, në bashkëpunim me Forcat Speciale RENEA. Sipas të dhënave të bëra publike, ai u lokalizua pranë Mitropolisë, në momentin që po kthehej drejt banesës.

Në pamjet e arrestimit dëgjohet një prej efektivëve të policisë që i drejtohet të dyshuarit me urdhrin: “Shtrihu në tokë”, para se ai të prangoset.

Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e 8 gushtit, në lagjen nr. 15 të Korçës, pas një konflikti mes disa personave. Sipas Policisë, përplasja për motive të dobëta përshkallëzoi deri në përdorimin e armës së zjarrit, duke shkaktuar vdekjen e 21-vjeçarit Joan Zuko.

Gjatë operacionit për kapjen e tij, Policia bëri të mundur edhe sekuestrimin e një pushke automatike, e cila dyshohet se është përdorur në ngjarje.

Ndërkohë, hetuesit po punojnë për të zbardhur motivin dhe dinamikën e plotë të konfliktit. Sipas të dhënave paraprake, përplasja mes dy të rinjve lidhej me disa episode të mëparshme, ndërsa një nga pistat e hetimit lidhet me pretendimin se viktima kishte ngacmuar të dashurën e autorit të dyshuar.

Po ashtu, po verifikohen edhe konflikte të mëparshme mes dy të rinjve, të cilët dyshohet se kishin pasur përplasje të vazhdueshme.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit